Flamuri i Kosovës dhe ai i BE-së - Foto: REL/AFP

BE: Ratifikimi i Demarkacionit Hap Vendimtar Drejt Liberalizimit të Vizave

Shefja për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Europian, Federica Mogherini, komisioneri për Migracion, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitris Avramopulos dhe komisioneri për Politikat Europiane të Fqinjësisë dhe Negociatat për Zgjerimin, Johannes Hahn pas ratifikimit të Marrëveshjes për Demarkacionin e Kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi kanë dhënë këtë një deklaratë të përbashkët.

“Ratifikimi i sotëm i Marrëveshjes për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi, nga Kuvendi i Kosovës, paraqet një arritje të vërtetë, një progres të mirëpritur dhe konkret, në frymën e marrëdhënieve të mira fqinjësore, si dhe me Strategjinë e re të Komisionit për Ballkanin Perëndimor. Ratifikimi është gjithashtu përmbushja e njërit prej kritereve kryesore për liberalizimin e vizave të Kosovës. Siç tha kryetari Juncker gjatë vizitës së tij të fundit në Kosovë, është një hap vendimtar drejt liberalizimit të vizave, nga i cili do të përfitojnë para së gjithash njerëzit”, theksohet në deklaratë.

Në vitin 2016, Komisioni Europian i ka propozuar Këshillit dhe Parlamentit Europian heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës me të kuptuar se Kosova do të ratifikojë Marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi dhe do të forcojë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Vlerësimi i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit vazhdon edhe në dritën e informacionit të fundit të dhënë nga autoritetet e Kosovës”, theksohet në deklaratën e përbashkët.

Aty thuhet se Bashkimi Europian pret që të gjitha palët në Kosovë të vazhdojnë të punojnë shumë në përpjekjet e suksesshme për të arritur udhëtimin pa viza për popullin e Kosovës dhe në interes të rajonit.