Arkivoli me trupin e Dijamant Zabërgjes pranohet nga familjarët - Foto: KALLXO.com

Arrijnë në Kosovë Trupat e Dijamantit dhe Armelës

Trupat e të rinjve Dijamant Zabërgja dhe Armela Segashi, të cilët u vranë të premten në një qendër tregtare në Munich të Gjermanisë, janë sjellë në Kosovë, ku të martën pritet të varrosen në qytetet e tyre të origjinës.

Ceremonia e varrimit të Dijamantit është paraparë të zhvillohet në ora 14:00 në Vushtrri, ndërkaq ajo e Armelës në ora 17:00 në Podujevë.

Avioni me arkivolet e 21-vjeçit dhe 14-vjeçares ka aterruar në aeroportin e Prishtinës rreth orës 00:35. Pastaj, arkivolet janë marrë nga familjarët dhe janë nisur drejt Vushtrrisë dhe Podujevës.

Familjarët marrin arkivolin me trupin e Armela Segashit
Familjarët marrin arkivolin me trupin e Armela Segashit

Për të pritur arkivolet kishin dalë familjarë të dy të rinjve si dhe një delegacion i Ministrisë së Diasporës, i prirë nga ministri Valon Murati.

Familjarët e dy të rinjve nuk kanë bërë ndonjë koment.

Ministri Valon Murati u është afruar familjarëve, të cilët i ka ngushëlluar për humbjen e më të dashurve të tyre.

“Ka qenë një shok për të gjithë ne, për gjithë kombin”, ka thënë ministri, duke u bërë thirrje familjarëve që të bëhen të fortë në këtë dhimbje të madhe.

Familjarët e Dijamant Zabërgjës 01

Në sulmin e të premtes në Munich është vrarë edhe një vajzë tjetër me origjinë nga Kosova, Sabina Sulaj. Mirëpo,  familja e saj duket se ka vendosur që ceremoninë e varrimit ta bëjë në Gjermani.

http://kallxo.com/se-paku-9-te-vrare-ne-munich/

Përndryshe, nëntë persona janë vrarë nga një i ri gjerman me origjinë iraniane në sulmin në qendrën tregtare “Olympia” në Munich, para se të bënte vetëvrasje.

Në nderim të viktimave me origjinë nga Kosova, presidenti Hashim Thaçi kishte shpallur të dielën ditë zie në Kosovë.

http://kallxo.com/e-diela-dite-zie-ne-kosove/