70 Arsimtarëve në Shkollën “Hasan Prishtina” u Keqpërdoren Nënshkrimet

Pasi 70 arsimtarë të Shkollës Fillore “Hasan Prishtina” u çregjistruan nga SBAShK-u, një koleg i tyre nënshkrimet e çregjistrimit ua dërgoi pa leje në Sindikatën rivale të Arsimit dhe Kulturës, duke i bërë anëtarë të saj.

Për këtë problem ka njohuri edhe drejtori i shkollës Milaim Berisha që tha se arsimtarët e “Hasan Prishtinës” janë larguar nga SBASHK-u për shkak të pakënaqësive me këtë sindikatë.

“Me rastin e daljes nga SBASHK-u kemi njohuri që kjo punë ka ndodhur. Personi që ka qenë kryetar i SBASHK-ut në këtë shkollë i ka tërhequr nënshkrimet e mësimdhënësve që kanë dalë nga kjo sindikatë dhe i ka deponuar në sindikatën tjetër, pa lejen e mësimdhënësve”, tha Berisha.

Nezir Gashi për disa vite ka shërbyer si kryetar i SBASHK-ut për shkollën “Hasan Prishtina”, ndërsa së fundi është pjesë e Këshillit Iniciues të sindikatës së re paralele të Arsimit dhe Kulturës së Kosovës (SAKK).

Gashi nuk deshi të flasë para kamerës, por mohoi se keqpërdori nënshkrimet e kolegëve. Problemet në shkollë sipas tij lidhen me frustrimin e disa mësimdhënësve për shkak se pjesa tjetër e kolektivit nuk e ka përkrahur grevën e SBASHK-ut.

Drejtori Berisha pranoi se nuk ka marrë masa kundër mësimdhënësit Gashi, pasi deklaroi se për çështje sindikale nuk mund të bëjë asgjë.

Çështja e nënshkrimeve  sipas drejtorit nuk ka ndikuar në përçarjen e kolektivit.

“Jo jo nuk ka përçarje brenda shkollës, ata me vetëdije kanë dalë nga sindikata dhe me vetëdije do ta formojnë një sindikatë brenda institucionit arsimor”, deklaroi drejtori.

Por mësimdhënësja Merita Ahmetaj që drejton sindikatën e punëtorëve të shkollës që braktisën SBAShK-un, gjendjen në “Hasan Prishtina” e konsideron konfuze.

“Puna mes mësimdhënësve është shumë konfuze për shkak të paraqitjes së sindikatës. Ne si mësimdhënës të kësaj shkolle jemi larguar nga SBASHK-u qysh në qershor me pëlqim të arsimtarëve”, tha Ahmetaj.

Ekipi i KALLXO.com-it e pa këtë gjendje, kur Ahmetaj u grind me fjalë me Nezir Gashin.

Arsimtarja Ahmetaj tregoi si u keqpërdorën nënshkrimet nga Gashi.

“Me largimin tonë nga SBASHK-u jemi nënshkruar që duam të tërhiqemi dhe ato nënshkrime kanë shkuar për largimin tonë, mirëpo në anën tjetër janë keqpërdorur nga ish kryetari i Sindikatës që ka qenë në këtë shkollë, Nezir Gashi”, theksoi Ahmetaj.

Sindikata e shkollës që drejtohet nga Ahmetaj u themelua më 25 prill 2014.

Edhe pse gjendja mes disa punonjësve të këtij kolektivi duket se nuk është e mirë, ata në diçka ishin unikë-nuk iu bashkuan grevës së SBAShK-ut.

Këtë të premte në “Hasan Prishtina” mësimi u zhvillua normalisht, por u vërejtën mungesa më të theksuara të  nxënësve.