Qyteti i Suherekës

19 Drunj Dekorativë në Suharekë në 19 Vjetorin e Viktimave Civile të Luftës

Në 19 vjetorin e vrasjes së viktimave civile të luftës, me 26 mars në komunën e Suharekës, do të mbahet akademi përkujtimore dhe do të mbillen 19 drunj dekorativë pranë bibliotekës “Hajdin Berisha” në Suharekë.

Kështu u tha sot në mbledhjen e Këshillit Organizativ, të cilën e kryesoi kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj.

Gjatë këtij takimi u fol edhe për programin e akademisë dhe për detajet tjera të këtij manifestimi.

Kryetari Muharremaj, ka thënë se 19 drunjtë simbolizojnë 19 vitet e shkuara nga viti kur kanë rënë viktimat civile të luftës.

“Kjo nuk do të përfundojë me kaq, çdo vit do të mbjellim drunj dhe atë jo vetëm në qytetin e Suharekës por edhe nëpër të gjitha fshatrat e Komunës”, theksoi Muharremaj.

Vitin tjetër do të mbillen mbi 500 drunj si shenjë përkujtimi të mbi 500 martirëve të vrarë gjatë luftës së fundit.