Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kandidati i Partisë Balliste, Florim Isufi premton ndryshim të sistemit arsimor në Prishtinë

Kandidati i Partisë Balliste, Florim Isufi premton ndryshim të sistemit arsimor në Prishtinë

Kandidati i Partisë Balliste për kryetar të komunës së Prishtinës, Florim Isufi, ka thënë se nëse zgjidhet kryetar i kryeqytetit, do të ndryshojë sistemin arsimor.

Ai ka thënë se shkollën fillore do ta ndajë nga shkolla e mesme e ulët.

Isufi tha se nuk mendon që ta aplikojë mësimin gjithë ditor në shkolla, pasi sipas tij, në Kosovë nuk ka funksionuar.

“Mendoj që nuk do ta bëjë mësimin gjithëditor, sepse te ne në Kosovë e kemi pa që nuk funksionon”, tha ai.

“Numri i shkollave të jetë sa është e nevojshme. Ndoshta nuk është e nevojshme të ndërtohet shkollë në çdo lagje. Kabinetet, duhet që librat të mbesin në kabinete që nxënësit të mos ngarkohen me libra, por të bartin vetëm tablete dhe fletore”, tha ndër të tjera ai.

Sonte, për herë të parë, të gjithë kandidatët për kryetar të Prishtinës debatojnë mes vete në #DebatPernime.

Kandidatët për kryetar të Prishtinës të cilët do të shpalosin programet dhe planet e tyre për kryeqytetin për katër vitet e ardhshme.

Se si do të duket Prishtina në vitin 2025 do të tregojnë: Arben Vitia nga LVV; Avni Çitaku nga Fjala; Daut Haradinaj nga AAK; Florim Isufi Partia Balliste; Gëzim Mehmeti nga AKR; Përparim Rama nga LDK dhe Uran Ismail nga PDK.

Kandidatët për të parin e Prishtinës do të përgjigjen përballë Jeta Xharrës për menaxhimin e pandemisë COVID-19, cilat janë planet e tyre për arsim, ambient, kulturë, siguri publike dhe tema të tjera.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës së Prishtinës janë edhe kandidatet për asambliste: Diona Mejzinolli nga LVV; Donjeta Dragusha nga LDK; Dhurata Salihi nga AAK; Eliza Hoxha nga PDK; Figen Shabani nga KDTP; Fiknete Bejta nga AKR dhe Marigonë Tahiri nga Lëvizja për Bashkim.