Qendra e Numërimit dhe Rezultateve. Foto: KQZ

KQZ demanton mediat serbe rreth fletëvotimeve nga Serbia

Përderisa janë duke vazhduar hetimet lidhur me dyshimet për helm në zarfet me vota të ardhura nga Serbia për zgjedhjet e 6 tetorit, mediat serbe po raportojnë se është marrë vendim që këto vota të mos numërohen fare.

Portali serb “Kosovo Online” ka raportuar gjatë ditës se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vendosur që këto fletëvotime nuk do të numërohen.

Por zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë për KALLXO.com se akoma nuk kanë asnjë vendim për këtë çështje.

Në anën tjetër, 12 pacientë të cilët kanë qenë duke u trajtuar në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, që kanë kërkuar ndihmë mjekësore pasi që janë ankuar për reaksione alergjike teksa po verifikonin zarfet, janë liruar nga spitali.

Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së Klinikës Infektive, Linda Ajazaj-Berisha, tha për Radion Evropa e Lirë se pacientët janë liruar nga spitali në gjendje të mirë shëndetësore.

“Gjendja shëndetësore, në momentin kur i kemi liruar pacientët, ka qenë e mirë. Ne i kemi përjashtuar sëmundjet apo shkaktarët infektivë. Me të tjerat mbetet të merren organet tjera të hetuesisë që kanë filluar me procedura”, tha Ajazaj-Berisha.

Qendra për verifikimin e votave për zgjedhjet e 6 tetorit u përfshi në një incident të dielën e 13 tetorit, sapo nisi hapja e zarfeve të cilat janë dërguar nga Serbia në Kosovë.

Hapja e pakove u shkaktoi alergji, temperaturë, si dhe duke ua vështirësuar edhe frymëmarrjen mbi 20 zyrtarëve të KQZ-së.

Prokuroria e Kosovës ka bërë të ditur, se mostrat e zarfeve me votat nga Serbia janë dërguar për ekzaminim në një laborator të një shteti evropian, por që nuk kanë treguar se në cilin vend janë dërguar ato.

Kurse, KQZ-ja kishte deklaruar se për votat e ardhura nga Serbia, do të merret vendim sapo të përfundohet ekspertiza nga ana e institucioneve relevante.

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!