Rrëfimi i monitorueses që ishte brenda qendrës me votat e helmuara

Qendra për verifikimin e votave për zgjedhjet e 6 tetorit u përfshi në një incident këtë të diel, sapo nisi hapja e zarfeve të cilat janë dërguar në Kosovë nga Serbia.

Hapja e pakove u shkaktoi alergji dhe temperaturë verifikuesve të votave, duke ua vështirësuar edhe frymëmarrjen.

Lidhur me tërë ngjarjen e sotme në këtë qendër numërimi, monitoruesja e KALLXO.com, Ardita Zeqiri, rrëfen detajet se si erdhi deri te përkeqësimi i gjendjes së verifikuesve të votave sapo kishin hapur zarfet të cilat kanë ardhur nga Serbia.

Dyshimet për helmim të votave në zarfet që u dërguan nga Serbia, detyroi ekipet e Policisë së Kosovës, Prokurorisë dhe Forenzikës të rrethojnë dhe të bëjnë ekzaminimet në  hapësirat e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, aty ku edhe është caktuar të bëhet numërimi i votave me postë.

Ndonëse në media u raportua për më shumë se 20 persona të helmuar, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, pasdite njoftoi se në Klinikën e Infektivës 9 persona kanë kërkuar shërbim mjekësore, prej tyre edhe 2 gra shtatzëna, përderisa gjendja e tyre u tha të jetë stabile.

Monitoruesja e KALLXO.com, ka rrëfyer edhe prapaskenat e ekzaminimeve nga ana e autoriteteve përkatëse, si dhe ndihmën mjekësore që u është ofruar dëshmitarëve.

Zeqiri tregon se procesi kishte nisur normalisht në ora 09:00, përderisa nga ora 11:00 kishin nisur ankesat për alergji.

“Në ora 9:00 ka filluar procesi i numërimit edhe deri në ora 11:00 ka shkuar në rregull procesi, përveç disa vërejtjeve aty-këtu disa zarfe nuk i aprovonin se nuk i plotësonin kriteret ose kishin dokumente që nuk ishin kriteret e KQZ-së për me u aprovu. Por shumë pak, 2-3 zarfe deri në orën 11:00. Të gjitha zarfet sot kanë qenë prej Serbisë”, tha ajo.

Monitoruesja përshkruan edhe ndjesitë e zyrtarëve, sapo kanë hapur zarfet, ndërkaq në dhomën e punës të pranishëm kanë qenë më shumë se 30 persona.

“Nga ora 11:00, kanë filluar të ankohen ato verifikueset që merreshin me kuti, me zarfe, që po kanë probleme me frymëmarrje ose temperaturë, ju digjnin duart edhe filluan të ankoheshin shumë. Besnik Buzhala e vërejti që diçka nuk është në rregull edhe i pyeti të gjithë aty në sallë a po keni probleme me zarfe dhe të gjithë thanë që po kemi probleme, se po na kruhen duart, fytyra veçse filloi me iu skuq. Janë vërejtur sidomos ato që i kanë prek zarfet, kanë pasur skuqje te mollëzat e fytyrës goxha shumë”, shton ajo.

“Si vëzhguese kam qenë vetëm unë dhe dy aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje. Të tjerët kanë qenë që kanë punuar, por ka pasur edhe monitorues tjerë. Po besoj që të gjithë kemi qenë më shumë se 30 persona, nuk i kam numëruar. Kanë qenë edhe 3 serbë”, shtoi ajo.

Sipas saj, nga zarfet që kanë qenë të mbyllura, kryesisht është shpërndarë kundërmimi.

“Verifikueset e kanë vërejtur erën por më vonë filloi me i kap alergjia. Në fillim ato nuk kanë tregu sepse kanë mendu që prej letrave, prej materialit po vjen era e rëndë. Por kur vërejtën që po bëhen alergji atëherë kanë tregu, thanë që ka diçka me këto zarfe. Unë personalisht s’kam pasur asnjë problem shëndetësor, por ndoshta dikush ka qenë më i ndjeshëm nuk e di, por çështja është që kanë pasur kontakt më fizik me letra. Ne jo”, theksoi Zeqiri.

Më pas, të gjithë të pranishmëve u është kërkuar të dalin jashtë, në mënyrë që të mos ketë më shumë rrezik nga gjendja e krijuar.

“Në atë moment kemi dalë të gjithë jashtë, sepse erën filluam ta vërejmë të gjithë. Sa i shpalosnin zarfet më shumë, edhe era vërehej më shumë. Era ka qenë sikur nëpër spitale, si elemente kimike. Pastaj dolëm të gjithë jashtë. Nja 2-3 gra kanë shkuar në Qendrën e Mjekësisë Familjare, të shtëpia e shëndetit nëse nuk gaboj, se më afërti ka qenë, këtu të Qafa që është. Aty ua kanë dhënë udhëzimin, u kanë thanë shkoni drejt në Klinikë Infektive se ne nuk guxojmë me u dhënë diçka diagnoza pa u kontrollu tamam qysh duhet”, rrëfen ajo.

Ardita Zeqirit më pas i është thënë se mund të raportojë se procesi i numërimit të këtyre votave është pezulluar.

“Lajmi veçse u publiku. Pas afër 20 minutave kanë ardhë Policia dhe Emergjenca, e kanë rrethu vendin. Në makinën e Emergjencës kemi hy të gjitha me u kontrollu çka kemi qenë duke monituruar dhe vëzhguar. Na kanë kontrollu, na e kanë matë tensionin e gjakut dhe nivelin e sheqerit. Edhe na lëshuan nga një udhëzim që në rast se nuk ndihemi mirë për me shku me bo kontroll diku në ndonjë qendër sa më afër”, shtoi ajo.

Marrja në pyetje e dëshmitarëve nga ana e Policisë së Kosovës u krye në një lokal në qendër të Prishtinës.

“Nuk patëm askush diçka dëme, pastaj më vonë policia na ka fut në një lokal, aty te ajo piceria ‘Familia’. Aty kemi hy të gjithë çka kemi qenë brenda si dëshmitarë, na kanë kontrollu të gjithëve. Çantat, telefonat na i kanë marr”, rrëfen Ardita Zeqiri.

Ndërkaq, rreth orës 15:00, në vend të ngjarjes sipas saj është paraqitur Forenzika.

“Më pas ka ardh ekipi i Forenzikës, për me mbyll derën që ka mbet e hapur lart, aty ku ka qenë duke u bërë numërimi i votave. Kemi hy unë, z. Buzhala, një përfaqësues i GERMIN-it, një i Listës Serbe edhe dy persona tjerë, veç e di që kemi qenë 8 persona bashkë me këta të Forenzikës që na tregonin se çka duhet”, shton monitoruesja.

Vëzhguesit dhe të pranishmit u ftuan të përcjellin ekipin e Forenzikës për të parë nga afër mbylljen e derës e dritares ku edhe gjendet zarfet me vota.

“Aty nuk na i kanë leju telefonat, na i kanë dhënë këto kostumet që i veshin. Kemi shku lart të dhoma aty të Ministria, ku ka qenë duke u bërë numërimi, i kanë mbyll dritaret dhe derën dhe i kanë vendos shiritat që aty ka evidencë  edhe kanë prit që derisa të vjen Policia derisa të lëshon vendim KQZ-ja nëse duhet me u marr ato vota me u hetu, ajo derë mbetet e mbyllur. Pastaj ka ardh Policia me i vendos kamerat në mënyrë që qytetarët mos me dyshu që gjatë kohës sa është e mbyllur aty me pas ndërhyrje”, tregon Zeqiri.

Monitoruesja tregon se fillimisht në mëngjes zyrtarë të procesit të numërimit kishin thënë se pasdite do të vazhdojë numërimi i votave të diasporës shqiptare, por kjo gjë nuk ka ndodhur,

“Numërimi është ndërprerë deri të hetohet se çka ka në zarfe. Sa kam qenë unë aty, nuk kanë thënë asgjë, as zyrtarë të KQZ-së sepse të gjithë  merreshin me policinë. Vetëm se në mëngjes kur është ndërprerë votimi, z.Buzhala ka thënë që pasdite kemi me vazhdu me votat e diasporës shqiptare, por nuk kanë vazhduar”, thotë tutje.

Por a është parë ndonjë shenjë e dyshimtë në plikot më vota nga Serbia?

“Zarfet kanë qenë të vulosura të gjitha dhe të gjithë kanë qenë të bardhë. Ndonjë shenjë tjetër nuk kanë pasur, vetëm kanë qenë me vula të kaltra përmbi, ato që janë konsideruar të vlefshme”, thotë monitoruesja e këtij procesi.

Nga koha kur vëzhguesve dhe zyrtarëve të KQZ-së u është kërkuar të dalin jashtë objektit, dera e zyrës ku është bërë numërimi i votave ka mbetur hapur.

“Kur kemi dalë të gjitha jashtë në fillim, dera ka mbet hapur. Tash deri ka hy aty ekipi i Forenzikës në ora 3 e diçka pasdite, unë nuk e di se çka ka ndodhë aty, sepse neve nuk na është lejuar me hy aty më tutje se diçka e tillë. Herën e  dytë, jemi kthyer në atë pjesë me dëshmu që po e mbyllin derën dhe dritaren, pa i prek zarfet”, thotë ajo.

“Aty kanë realizuar fotografi, kanë xhiruar, por kamerat e vogla i kanë pasur vetëm pjesëtarët e Forenzikës, neve nuk na është lejuar me xhiru.  Sepse ne kemi qenë të gjithë të maskuar dhe nuk na është lejuar as me përdor telefon as diçka tjetër”, shtoi Zeqiri.

Vëzhguesve nga ana e Policisë u janë konfiskuar telefonat.

“Policia më ka marr në pyetje për deklaratë, prokuroria jo. Veç na kanë pyet pse kemi qenë brenda, pse kemi hy. Unë u kam tregu. Në atë moment ma kanë marrë edhe telefonin edhe asgjë tjetër. Telefonin nuk ma kanë kthyer sepse e kanë marr për hetim. Nuk e di, vetëm na thanë që brenda 48 orëve na i kthejnë telefonat”, ka rrëfyer monitoruesja e KALLXO.com, Ardita Zeqiri.

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!