Ujëvarat e Korishës: Një vendpiknik i rrethuar me histori

I vendosur menjëherë në dalje të Prizrenit, Korisha është një nga fshatrat më të mëdhenj të Kosovës. Është vend i pastër dhe i qetë, me një lumë që rrjedh nga bjeshkët midis shumë vilave të mëdha të fshatit dhe kalon përskaj monumentit të ushtarëve të UÇK-së të rënë gjatë luftës në Kosovë.

Paqja dhe qetësia e Korishës të kombinuara me pamjet e saja bjeshkatare e bëjnë atë një vend të përsosur për t’u ndalur përgjatë rrugës. Sidoqoftë, teksa e përshkoni rrugën në të djathtë të monumentit do ta gjeni vetën tuaj në sekretin e fshehur të Korishes, i cili e bën këtë fshat një destinacion më vete.

Ujëvarat e vogla por shumë piktoreske të bëra nga dora e  njeriut në Korishë u ndërtuan në vitet 1960 me qëllim të mbrojtjes së fshatit nga përmbytjet. Sidoqoftë, gjatë verës, vizitorët vijnë nga të gjitha anët për t’u çlodhur dhe për t’a shijuar peizazhin që mbretëron në këtë fshat.

Foto: Chelsea Charles/Prishtina Insight

Habib Lushaj nga rrethi i Suharekës thotë për Prishtina Insight se ai viziton Korishën shpesh. “Është një vend i bukur për t’u çlodhur pas një dite të gjatë”, thotë ai. “Unë vij çdo fundjavë këtu bashkë me familjen time.”

Teksa i afrohesh ujëvarave, ka aty një zonë parkimi dhe një lumë të vogël me tavolina anash, ku mund ta shijosh një piknik të këndshëm pranë ujit të rrjedhshëm. Ujëvara më e madhe, e rrethuar nga pemë të larta dhe me ujë të pastër dhe që rrjedh poshtë, është një pesë-minuta kohë larg në këmbë.

Ca kohë e kaluar afër ujëvarave të sigurojnë një relaksim larg nga qyteti i nxehtë në muajt e verës. Mund të ulesh në shkallë, t’a frymosh ajrin e malit dhe t’a shijosh pamjen, të gjitha këto duke e dëgjuar flladin shushurues nëpër gjethe dhe ujin që spërkat gurët.

Një shteg prapa ujëvarës të shpie përpjetë në një seri ujëvarash më të vogla, duke ofruar pamje nga egërsia e mrekullueshme dhe e gjelbër e Kosovës si dhe rrezet e diellit që shkëlqejnë mbi bjeshkët poshtë.

Foto: Chelsea Charles/Prishtina Insight

Për ata që kanë nevojë për një ushqim të mirë pas udhëtimit, ka një restorant të quajtur ‘Delfini’ i vendosur pranë ujëvarës. Tavolinat janë të shpërndara përgjatë rrjedhës së lumit, duke të ofruar mundësinë për një pije të qetë bashkë me qetësinë që ofron vetë fshati.

Restoranti është i hapur gjatë gjithë javës në kohë vere duke ofruar mish tradicional të pjekur në skarë, përfshirë specialitetin e tyre: mish i freskët dhie i cili duhet të porositet paraprakisht. ‘Delfini’ gjithashtu servon një shumëllojshmëri të pijeve alkoolike dhe joalkoolike, si dhe një përzgjedhje të mezes.

Pronari i restorantit, Nezir Ahmetaj, ka jetuar në Gjermani para luftës në Kosovë, por thotë se ai u kthye në shtëpi për t’iu bashkangjitur UÇK-së. Pas luftës, ai hapi restorantin e tij të parë, dhe këtë e bëri me një kamion ushqimi duke shërbyer mish të pjekur në skarë. Ai i kujton ato ditë me dashuri, megjithatë ëndrra e tij ishte më e madhe se aq dhe donte të bënte më shumë për fshatin e tij.

Korisha është ndoshta një fshat më i njohur për shkak se kishte qenë një lokacion i një bombardimi të NATO-s, në të cilin një konvoj refugjatësh u cilësua gabimisht si një objektiv ushtarak andaj edhe rezultoi me vdekjen e dhjetëra civilëve. Ata që i mbijetuan këtij gabimi vdekjeprurës pretendojnë se u vunë në grackë dhe u përdorën si “mburoja njerëzore” nga autoritetet jugosllave.

Nezir Ahmetaj’s first food truck. Photo: Chelsea Charles/Prishtina Insight.

Neziri i thotë Prishtina Insight se ai u përpoq të mbledhë para për ta rindërtuar fshatin pas shkatërrimit. Ai tutje shton se ai madje i ka investuar paratë e tij dhe ka përdorur mjetet e tij për ta përmirësuar rrugën nga fshati tek ujëvara dhe në male.

“Si fëmijë, të gjithë vinim këtu për not”, kujton ai. “Ishte një vend që i sillte  lumturinë dhe gëzimin tërë fshatit.”

Në bjeshkët prapa ujëvarave, ekziston një relike e një kapitulli edhe më të vjetër të historisë së Kosovës në formën e një kishe paleokristiane nga shekulli i 6-të pas Krishtit, mbetjet e së cilës u gërmuan midis viteve 2002 dhe 2004. Këto mbetje të antikitetit takohen me histori më moderne, pasi mbetjet e një baze të UÇK-së dhe një vendvarrezash për ata që humbën jetën aty gjenden gjithashtu në bjeshkët prapa Korishës.

Kisha është rreth 5 kilometra poshtë rrugës larg ujëvarave, por është e qasshme vetëm në këmbë ose me një veturë të përshtatshme për vozitje nëpër terren malor.

Arritja në Korishë është më e lehtë me veturë, dhe është afërsisht 15 minuta me veturë nga Prizreni dhe pak më shumë se një orë nga Prishtina. Autobusi nga Prishtina për në Prizren gjithashtu kalon pranë fshatit, dhe nga rruga kryesore ujëvarat mund të vizitohen me vetëm rreth 30 minuta kohë në këmbë.

Korisha mund të ketë një histori të trazuar, por ujëvarat dhe përpjekjet e banorëve aty na japin të kuptojmë se, tani në vitin 2021, ky është një vend i bukur për t’u ulur, ëndërruar dhe thjesht për ta shijuar veçantinë e natyrës së qetë ndërkohë që sodit botën.

Ky shkrim është publikuar fillimisht në PrishtinaInsight.