Draft-marrëveshja nuk ofron shpresë për shoqatat e personave të zhdukur

Udhëheqësit e shoqatave të personave të zhdukur i kanë thënë Prishtina Insight se ndihen të përjashtuar nga faza e fundit e dialogut dhe se nuk janë optimistë rreth detajeve të një draft-marrëveshjeje të arritur në Bruksel, e zbuluar ditën e hënë.

Shoqatat e personave të zhdukur kanë deklaruar për Prishtina Insight se nuk janë konsultuar në fazën aktuale të dialogut dhe nuk shpresojnë se një draft-marrëveshje e arritur midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel do t’u ofrojë atyre ngushëllim.

Në një takim të Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur të mbajtur ditën e hënë, Ibrahim Makolli, udhëheqës i grupit punues të Kosovës për personat e zhdukur për dialogun, bëri të ditur se draft-marrëveshja përfshin zotimin për themelimin e një komisioni të përbashkët midis Kosovës dhe Serbisë.

Ai deklaroi se komisioni i përbashkët do të jetë “përgjegjës për mbikëqyrjen dhe mbështetjen e procesit të zbardhjes së fatit të personave të zhdukur”, dhe do të udhëhiqet nga një i Dërguar Special i caktuar nga Bashkimi Evropian.

Makolli po ashtu shtoi se ishte arritur një marrëveshje për “qasje të pakufizuar” në të dy arkivat lokale dhe ndërkombëtare, përfshirë “arkivat e ushtrisë, policisë dhe forcave të tjera të Serbisë që ishin pjesë e kryerjes së krimeve në Kosovë si dhe fshehjen e trupave të të vrarëve”.

Sidoqoftë, Haki Kosumi, anëtar udhëheqës i Këshillit Kombëtar Koordinues i Familjeve të Personave të Zhdukur, tha për Prishtina Insight se nuk është optimist lidhur me zhvillimet e deritanishme.

Kosumi, i cili ishte i pranishëm në takimin e së hënës së Komisionit Qeveritar, e përshkroi shpjegimin e marrëveshjes si “teorike, të thatë dhe me mungesë të detajeve”.

“Për mua, shpjegimet e tyre ishin të paqarta dhe unë kërkova dhe do të kërkoj sqarime shtesë përsëri në takimin e ardhshëm,” deklaroi Kosumi. “Nuk kemi parë asgjë me shkrim”.

Kosumi, i cili ka punuar në zbardhjen e fatit të të zhdukurve për 20 vjet, është i pakënaqur lidhur me mungesën e konsultimit nga ana e Qeverisë së Kosovës me shoqatat e personave të zhdukur gjatë fazës së fundit të dialogut.

“Këshilli i Koordinimit dhe shoqatat e tjera nuk janë konsultuar në asnjë fazë të përgatitjes për dialogun në Bruksel në vitin 2020”, tha Kosumi për Prishtina Insight. “Mendoj se pikënisja e tyre ishte se ata janë në dijeni me çështjen e personave të zhdukur. Ata e kanë gabim”.

Nesrete Kumnova, themeluese e OJQ-së ‘Thirrjet e Nënave’ që përfaqëson familjet e personave të zhdukur në Gjakovë, është një tjetër kritike e qasjes së qeverisë aktuale, duke deklaruar se organizata e saj gjithashtu nuk ishte konsultuar para diskutimeve për personat e zhdukur në Bruksel.

Ajo  deklaroi për Prishtina Insight se kjo e bën atë jo entuziaste për ndonjë marrëveshje të arritur. “Asnjë marrëveshje nuk është e pranueshme pa përfshirjen e shoqatave të personave të zhdukur”, tha ajo. “Kam frikë se do të bëhen marrëveshje të këqija nga bisedat e fshehta. Unë e konsideroj atë të padrejtë, të papranueshëm dhe jo etik. Si mund të jemi shpresëdhënës për një proces të tillë?”

Kumnova, djali i së cilës është në mesin e 1,600 personave ende të zhdukur nga lufta e Kosovës, u ftua në takimin e Komisionit Qeveritar të hënën, por vendosi të mos merrte pjesë.

Ndërkohë, Bekim Blakaj, drejtori ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare, një organizatë kushtuar drejtësisë tranzicionale për viktimat, tha për Prishtina Insight se ai është i pasigurt për mënyrën se si do të funksiononin aspektet e draftmarrëveshjes në praktikë.

“Mbetet e pasigurt nëse palët do të angazhohen për hapjen e arkivave pasi nuk është specifikuar se kush do t’i nxisë palët ti hapin arkivat sekrete,” tha Blakaj. “Për mua, mbetet e paqartë se si do të funksionojë kjo marrëveshje dhe cili do të jetë mekanizmi mbikëqyrjes”.

Për Blakajn, kjo iniciativë e fundit nuk ka gjasa të ofrojë ndonjë ngushëllim për familjet e atyre që janë ende të zhdukur nga lufta e Kosovës së vitit 1999. “Në këto 20 vjet, familjet e personave të zhdukur kanë kaluar përmes të njëjtave shtigje”, tha ai. “Shpresat e tyre u rritën e pastaj të njëjtit u zhgënjyen. Ata ndihen të thyer nga të jetuarit me të njëjtën dhimbje dhe kjo ka rezultuar në mosbesim ndaj institucioneve”.

Prishtina Insight kontaktoi Ibrahim Makollin për ta pyetur në lidhje me përjashtimin e shoqatave të personave të zhdukur nga procesi i dialogut. Sidoqoftë, ai deklaroi se kjo pyetje do të duhej adresuar kryeministrit Avdullah Hoti apo Skender Hysenit, Koordinatorit Shtetëror për Dialogun.

BIRN ka bërë përpjekje të shumta për të vënë kontakt me Skender Hysenin për ta diskutuar temën e personave të zhdukur, por pa ndonjë sukses. Në fakt, Hyseni e ka mbyllur dy herë telefonin kur ngritej çështja e personave të zhdukur. Prishtina Insight gjithashtu e  ka kontaktuar Zëvendës Kryeministrin, Driton Selmanaj, mirëpo pa ndonjë përgjigje nga ana e tij.