Foto: funcake-factory.hr

Të Drejtat e Autorit mbi Filmat Vizatimorë Trembin Pastiçierët Kroatë

Avokatët e kompanisë kroate Fun Cake Factory që është specializuar në bërjen dhe shitjen e tortave të ngrira në qendra tregtare, ka lajmëruar dyqanet e njohura të tortave në Kroaci të ndalojnë shkeljen e të drejtave të autorit duke përdorur personazhet e Diznejt.

Tomislav Ljutic, drejtor i kompanisë, tha se pronari i licencës së të drejtave për të prodhuar kekë të dekoruar me personazhet e Diznej është prodhuesi britanik Finsbury Food Group.

“Kompania jonë është partneri ekskluziv i Grupit që do të thotë se ne duhet t’i përmbahemi rregullave strikte dhe standardeve të vëna nga Diznej,” tha Ljutiç.

“Veçanërisht ata [Finsbury dhe Diznej] na vënë kushte për gjithçka te kekët t’i përmbahet limiteve strikte që nga teksti deri te ngjyra e personazheve,” shtoi ai.

Ljutic tha se kushdo që dëshiron të përdorë personazhet e Diznej në kekë nuk mund ta bëjë pa lejen e krijuesit.

Sipas ligjit kroat, prodhuesit e kekëve që shkelin të drejtat e autorit mund të gjobiten nga 13,300 deri në 40,000 euro.

Pronarët e pastiçerive të Kroacisë kanë shprehur frikën se përfitimet mund të bien nga ndalimi mbi kekët e fëmijëve me personazhe si Mickey Mouse ose fytyrat e famshme të zotëruara nga Diznej.

Seherezada Sucevic, një nga dy motrat që zotërojnë pastiçerinë Orient në Zagreb, që ka operuar për 80 vjet i tha BIRN se “është çështje parimi, jo parash”.

“Ne nuk do të falimentojmë nëse nuk bëjmë kekë me personazhe të Diznej, bëjmë edhe gjëra të tjera gjithashtu… Është diçka që të zemëron fakti që nuk i merr dikujt dot porosinë, kur fqinji 5-vjeçar zemërohet me ty sepse nuk i ke bërë personazhin e preferuar në tortën e ditëlindjes”, tha ajo.

Marko Milanoviç, menaxher i Slatka Prica (Dyqani i Ëmbël) tha se dyqani nuk po bën shumë torta të tilla por nuk do të bëjë asnjë kek personazhesh në të ardhmen.

Megjithatë sipas tij çështja është e paqartë.

“Fabrika kroate nuk mund të hedhë askënd në gjyq, por pronari i licencës mundet” tha Milanoviç për BIRN.

“Pronari do të kishte ardhur në Kroaci tani dhe do të kishte hedhur në gjyq “një milionë” njerëz që kanë bërë kekë të tillë në shtëpi, nëse do t’i interesonte,” tha ai.

Lidhja e Kateringut në Zagreb ka pretenduar se kompania që bëri deklaratën nuk ka zbuluar kontratën që ka nënshkruar me Finsbury, gjë që do të thotë se pastiçeritë nuk mund të shohin se cilat personazhe janë të mbrojtura nga licenca e të drejtës së autorit.