Foto: Policia e Shtetit

Shqipëri, deti i trazuar, shpëtohen 16 pushues, në mesin e tyre edhe nga Kosova

5 pushues nga Shkodra dhe nga Kosova janë shpëtuar pasi rrezikonin mbytjen në grykëderdhjen e Vilunit në lagunën e Rrjollit.

Pushuesit janë shpëtuar falë ndërhyrjes së shpejtë nga Policia Kufitare dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.

Policia e Shtetit njofton se pesë shtetasit u transportuan për në qendrën spitalore, ku gjendja shëndetësore e tyre është jashtë rrezikut për jetën.

Po në të njëjtin vend u dha ndihma dhe 9 shtetasve çekë të cilët kishin ngelur të izoluar dhe në momentin që donin të kalonin grykëderdhjen e Vilunit, jeta e tyre u vu në rrezik.

Falë ndërhyrjes së Policisë të 9 shtetasit kanë dalë në breg pa asnjë problem për jetën.

Njëkohësisht edhe në Sarandë, Policia Kufitare ka shpëtuar një plazhist i cili u rrezikua të mbytej si pasojë e dallgëve të detit.

Policia e Shtetit u ka bërë thirrje të gjithë pushuesve të tregojnë kujdes maksimal pasi deti aktualisht është i trazuar dhe me dallgë të mëdha.

Policia e Shtetit sugjeron pushuesit dhe turistët që të shmangin lëvizjet me mjete lundrimi, si motor uji apo varka deri në qetësimin e detit.

Policia Kufitare ka rritur patrullimin me mjetet e saj lundruese në det dhe është angazhuar maksimalisht për t’u ardhur në ndihmë çdo pushuesi që i rrezikohet jeta në det.

Në ndihmë të Policisë Kufitare janë angazhuar maksimalisht edhe shërbimet e Policive Vendore si dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, me patrullim tokësor.

Policia apelon që për çdo rast nevoje për ndihmë telefononi në numrin pa pagesë 112.