Shpëtohen dy qytetarë në det, ishin gati të përmbyteshin

Policia Kufitare e Durrësit u ka ardhur në ndihmë dy qytetarëve të cilëve po u rrezikoj jeta nga dallgët e larta dhe erërat e forta.

Sipas njoftimit të policisë së shtetit mjeti i tyre lundrues ishte ndalur për shkak të një defekti teknik.

“Salla operative e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës ka marrë njoftim se për shkak të një defekti teknik, një mjet lundrues (çisternë uji) kishte ndaluar lëvizjen në det dhe se 2 pjesëtarëve të ekuipazhit të tij po iu rrezikohej jeta, nga dallgët e larta të detit dhe era e forte”- thuhet në njoftim.

“Policia Kufitare e Durrësit u erdhi në ndihmë 2 shtetasve, pjesëtarë të ekuipazhit të një mjeti lundrues (çisternë uji) të cilëve po iu rrezikohej jeta në det, për shkak të dallgëve të larta dhe erës së fortë. Mjeti lundrues i tyre, gjatë tërheqjes nga një rimorkiator, për ta nxjerrë në radë, u fundos për shkak të dallgëve të larta dhe erës së forte”- thuhet tutje në njoftim.

Qytetarët e shpëtuar janë J.A 27 vjeç dhe M.T 64 vjeç, të dy banorë të Durrësit.

“Shërbimet e Policisë Kufitare të portit të Durrësit, menjëherë pas marrjes së këtij njoftimi, organizuan punën me qëllim ardhjen në ndihmë shtetasve J. A., 27 vjeç dhe M. T., 64 vjeç, të dy banues në Durrës, pjesëtarë të ekuipazhit të një mjeti lundrues (çisternë uji)”- thuhet në njoftim.

Tutje, sipas policisë, falë ndërhyrjes së menjëhershme, u bë e mundur nxjerrja në breg të detit, e të dy shtetasve, në gjendje të mirë shëndetësore.

Ndërsa, mjeti lundrues (çisternë uji) që tërhiqej nga një mjet rimorkiator, me qëllim kryerjen e furnizimit me ujë, u fundos për shkak të dallëve të larta.