Protesta e studentëve të Fakultetit të Shkencave Matematike- Natyrore (FOTO)

Studentët e shkencave në Universitetin e Prishtinës ‘Hasan Prishtina’ janë revoltuar ndaj mungesës së vendeve të punës nga këto degë studimi.

Këshilli Studentor i FSHMN-së ka organizuar një protestë duke kërkuar rikthimin e drejtimeve arsimore në fakultet si dhe heqjen e udhëzimit administrativ sipas të cilit studentët e Fakultetit të Edukimit kanë përparësi në punësim në institucionet arsimore para studentëve të FSHMN-së.

“FSHMN- së vec drynin me ja qit, ministër pergjigju, diploma nuk është dekor për shtëpi, ne nuk do të ndalemi,  çka pom vyn diploma kur nuk kam vend pune” janë mbishkrimet në pankartat e studentëve të FSHMN-së.

Studentët kanë filluar protestën e tyre pra fakultetit filologjik duke vazhduar deri tek Ministria e Arisimit.

Florian Bivolaku, Kryetar i Këshillit të Studentëve tha se kanë dërguar peticion në ministri për këtë arsye.

“Në çdo konkurs që hapet në institucionet arsimore studentët e edukimit pa marër parasysh notën e tyre kanë më shume përparësi se ata të FSHMN-së. Kemi dorëzuar peticion me mbi 1000 nënshkrime për këtë por kemi marrë vetëm një injorim total nga Ministria e Arsimit “, tha Bivolaku

Këshilltari i Ministrit të Arsimti, Valmir Gashi doli para studentëve duke thënë se Ministri mund të presë katër prej tyre në takim mirëpo studentët nuk pranuan duke kërkuar që Ministri të dalë jashtë për tu takuar me ta.

Ata shtuan se presin një përgjigje nga Shyqiri Bytyqi deri nesër në ora 13 sepse përndryshe do të ndërmarrin hapa të tjerë.