Nesër hapet minibiblioteka e dytë në Prishtinë

Organizata ETEA do të bëjë nesër hapjen e minibibliotekës së dy në Prishtinës. Kjo minibibliotekë do të hapet në lagjen “Ulpiana”.

Përmes një njoftimi për media, ETEA njofton se minibiblioteka e lagjes “Ulpiana” vjen menjëherë pas hapjes së minibibliotekës së parë në lagjen “Dardania” të Prishtinës.

Sikurse minibiblioteka e lagjes “Dardania” edhe ajo e “Ulpianës” do të jetë e qasshme 24 orë në 7 ditë të javës dhe pas hapjes do të jetë pronë e lagjes dhe nën kujdesin e banorëve të lagjes.

“E njëjta do të ketë mbi 100 libra në dispozicion të banorëve të lagjes dhe të të gjithë të interesuarve për shkëmbim të librave dhe, apo huazim të librit përgjatë qëndrimit në lagje”, thuhet në njoftimin e ETEA-s.

Projekti “Minibibliotekat e lagjeve” u mundësua nga organizata ETEA dhe Kuvendi i të Rinjve të Prishtinës, në bashkëpunim edhe me Librarinë “Dukagjini”, mbështetur  nga Forumi për Iniciativa Qytetare me burim financiar nga Zyra e BE-së në Kosovë.

Këtij projekti i janë bashkuan edhe një numër i konsiderueshëm i banorëve të lagjeve përfituese të Prishtinës duke kontribuuar me libra dhe mjete financiare. Së fundmi, jetësimit të projektit “Minibibliotekat e lagjeve” i është bashkuar edhe Komuna e Prishtinës.