Nesër hapet minibiblioteka në Lagjen ‘Dardania’ në Prishtinë

Organizata ETEA hap nesër në Lagjen “Dardania” në Prishtinë, minibibliotekën e parë në kuadër të projektit “Minibibliotekat e lagjeve”.

Kjo minibibliotekë do të jetë e qasshme 24 orë në 7 ditë të javës dhe pas hapjes do të jetë pronë e lagjes dhe nën kujdesin e banorëve të lagjes.

Minibiblioteka do të ketë mbi 100 libra në dispozicion të banorëve të lagjes dhe të të gjithë të interesuarve për shkëmbim të librave apo huazim të librit përgjatë qëndrimit në lagje.

Projekti “Minibibliotekat e lagjeve” u mundësua nga organizata ETEA dhe Kuvendi i të Rinjve të Prishtinës, në bashkëpunim me Librarinë Dukagjini, përkrahur nga Forumi për Iniciativa Qytetare me burim financiar nga Zyra e BE-së në Kosovë.

Këtij projekti i janë bashkuar edhe një numër i konsiderueshëm i banorëve të lagjeve përfituese të Prishtinës duke kontribuar me libra dhe mjete financiare.