Hapet minibiblioteka e parë në Prishtinë

Nga dita e martë, 05 nëntor 2019, Lagjja ‘Dardania” në kryeqytet është bërë me një minibibliotekë.

Hapja e kësaj biblioteke është mundësuar nga OJQ ETEA, në kuadër të projekti të kësaj organizate, “Minibibliotekat e lagjeve”.

Minibiblioteka e “Dardanisë” është hapur në parkun më të madh të kësaj lagje, dhe për hapjen e saj një kontribut kanë dhënë edhe vetë banorët e kësaj lagje.

Agon Ahmeti, drejtor i ETEA-s ka pohuar për Kallxo.com se Minibiblioteka e “Dardanisë” në Prishtinë do të jetë e qasshme 24 orë në 7 ditë të javës dhe tani është pronë e lagjes dhe nën kujdesin e banorëve të lagjes.

“Kjo lloj biblioteke është në një koncept më modern, në mirëbesim me lexuesit, me qytetarët e lagjes ‘Dardania”  dhe të jetë në kujdesin e të gjithëve”, ka thënë ai.

Kjo minibibliotekë do të ketë mbi 100 libra në dispozicion të banorëve të lagjes dhe të të gjithë të interesuarve për shkëmbim të librave apo huazim të librit përgjatë qëndrimit në lagje.

Projekti “Minibibliotekat e lagjeve” u mundësua nga organizata ETEA dhe Kuvendi i të Rinjve të Prishtinës, në bashkëpunim me Librarinë Dukagjini, përkrahur nga Forumi për Iniciativa Qytetare me burim financiar nga Zyra e BE-së në Kosovë.

Projektit “Minibibliotekat e lagjeve” i janë bashkuar edhe një numër i konsiderueshëm i banorëve të lagjeve përfituese të Prishtinës duke kontribuar me libra dhe mjete financiare.