A e rriti pandemia rrezikun nga terrorizmi në Kosovë?

Pasi rreth 200 ish luftëtarë u riatdhesuan nga zonat e luftës në Siri dhe Irak, Kosova po përballet me pasojat e sigurisë – veçanërisht gjatë periudhës së pandemisë.

Disa qindra kosvarë kanë udhëtuar në Siri dhe Irak që nga fillimi i luftës në Siri në vitin 2012, duke iu bashkuar grupeve të ndryshme terroriste islamike në luftë kundër rrëzimit të regjimit të Bashar-Al Assadit. 

Rreth 100 kosovarë u vranë në luftimet përkrah krahut të Al-Kaidës, Jahbat Al-Nusra dhe organizatave të tjera islamike në Lindjen e Mesme, të cilët e shpallën Shtetin Islamik, ISIS, në territoret e pushtura në Siri dhe Irak.

Sidoqoftë, pasi ISIS humbi bastionet e tij që u rikuperuan vazhdimisht nga forcat irakiane dhe qeveritare siriane në vitin 2018, qindra prej atyre që luftuan ose morën pjesë në këto luftëra u kapën dhe janë në pritje për t’u riatdhesuar.

Në prill të vitit 2019, luftëtarët kosovarë të cilët ishin arrestuar nga forcat irakiane dhe kurde në zonat ku sundimi i ISIS ishte shkatërruar, ishin riatdhesuar.

Sidoqoftë, Avni Islami, këshilltar në Ministrinë e Brendshme të Kosovës, paralajmëron se shkatërrimi i IS nuk e ka larguar rrezikun e sigurisë për vende si Kosova.

“Me shpërbërjen e Shtetit Islamik, terroristët ose ata që i mbështetën ata janë shpërndarë në kontinentet e tjera, por edhe në Evropë,” tha Islami për Kallxo.com.

Riatdhesimi i atyre që kishin luftuar në Siri gjithashtu ka sjellë pasoja, duke rritur numrin e atyre që përballen me akuza për terrorizëm në Kosovë në 200 sosh.

Midis tyre ka persona të cilët jo vetëm që kishin shkuar në zonat e luftës në Lindjen e Mesme por gjithashtu kishin planifikuar kryerjen e sulmeve terroriste në Kosovë dhe në shtetin fqinj, Shqipërinë.

Hetimet e kryera nga Prokuroria Speciale e Kosovës janë kritikuar ndërkohë sepse megjithëse zbuluan identitetin e luftëtarëve, këto hetime nuk arritën të gjurmonin rekrutuesit, financuesit dhe organizatorët e grupeve terroriste.

Labinot Leposhtica, koordinatori për monitorimin e gjykatave për BIRN Kosovë, pajtohet me këtë, duke vënë në pah njëkohësisht se, deri më tani, gjykatat e Kosovës kanë dënuar vetëm katër persona për rekrutimin e terroristëve.

“Kemi pasur një dështim total në identifikimin e atyre që rekrutuan, ndihmuan ose ata që financuan ata të rinj kosovarë për të shkuar në luftën në Siri,” tha Leposhtica.

“Këta rekrutues janë këtu, mes nesh dhe ata po e bëjnë punën e tyre në radikalizimin e të rinjve, jo domosdoshmërisht në Lindjen e Mesme, por këtu në Kosovë ose në shtete të tjera evropiane,” paralajmëroi Leposhtica.

Elementët radikalizues nuk e kanë përjashtuar diasporën kosovare dhe shqiptare nga përpjekjet e tyre; 47 prej luftëtarëve që ishin pjesë e luftës në Lindjen e Mesme ishin duke jetuar në shtetet evropiane.

Në sulmin e fundit terrorist të nëntorit që goditi Vjenën, autori i krimit ishte një shqiptar etnik me origjinë nga Maqedonia Veriore.

Kushtrim Kaloshi, drejtor ekzekutiv i Qendrës së Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim (ATRC), kritikon rolin pasiv të institucioneve të Kosovës, i cili sipas tij ka rezultuar që shoqëria të merret me pasojat, jo me shkaqet.

“Këta të rinj kaluan përmes aeroportit të Kosovës apo përmes kufijve tokësorë. Dikush e ka bërë organizimin, rekrutimin, mobilizimin dhe i organizoi ata që të dërgohen atje, dhe këta njerëz janë këtu – dhe shteti i Kosovës nuk merret me identifikimin e këtyre grupeve,” deklaroi Kaloshi për Kallxo.com.

Kaloshi po ashtu tha se bllokada aktuale e lidhur me COVID mund të ketë efekte të dëmshme në përpjekjet për de-radikalizim, pasi që situata e rëndë ekonomike aktualisht po krijon një terren më të frytshëm për grupet që duan të radikalizojnë të rinjtë.

“Shkalla e papunësisë është e madhe për shkak të pandemisë dhe, si rezultat, pakënaqësia rritet me mungesën e perspektivës dhe shpresës – ndërkohë që grupet e rekrutimit që jetojnë në Kosovë mund ta përdorin këtë situatë mjaft mirë,” tha Kaloshi. Bllokada ka ulur gjithashtu vëzhgimin efektiv të sigurisë, shtoi ai.

Mentor Vrajolli, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, KSCC, shprehet më pozitiv në lidhje me mënyrën se si Kosova po i trajton ekstremistët e dhunshëm, megjithatë, duke vënë në pah faktin se përkundër përpjekjeve të tyre më të mira, asnjë sulm terrorist me motiv fetar nuk është kryer në Kosovë për vite me radhë.

“Kosova ka qenë mjaft e suksesshme në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm,” tha ai.

“Pavarësisht të metave, politikat anti-terror kanë qenë shumë më të frytshme sesa lufta kundër korrupsionit.

“Nëse lufta kundër korrupsionit do të ishte e njëjtë, Kosova do të ishte një kampione në përpjekjet e saja anti-korrupsion,” përfundoi Vrajolli.

Ky debat ishte pjesë e projektit “Burrat dhe djemtë si partnerë në promovimin e barazisë gjinore dhe parandalimin e dhunës dhe ekstremizmit midis të rinjve në Ballkan”. Ky projekt u mbështet nga CARE International Balkans, në partneritet me SIT, YMCA, Agjencinë Austriake për Zhvillim dhe Fondacionin OAK.