Gjykata e Gjilanit

30 ditë paraburgim, të dyshuarit se organizonte lojëra të fatit

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të pandehurit A.Th.

Ai po dyshohet se e ka kryer veprën penale të organizimit pa ligjshëm të bixhozit.

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri prej muajit qershor 2019  deri më datë 18 shtator 2020, në mënyrë të vazhdueshme në lokalin “Rojall” në zonën kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, përkatësisht në territorin e fshatit Karaçevë të Komunës së Kamenicës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete apo për personin tjetër dhe në kundërshtim me Ligjin për Ndalimin e Lojërave të Fatit, ka bërë organizimin e lojërave të cilat janë të ndaluara me ligj.

Sipas Gjykatës, paraburgimi ka qenë masa adekuate në këtë fazë të procedurës, me qëllim të zbatimit të pa penguar të rastit në vijim.

“Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, me qëllim të sigurimit të kushteve sa më normale për zhvillimin e procedurës penale”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Gjilanit.