Srebrenicë

Tomislav Nikoliq Shpërfill Përvjetorin e Srebrenicës

Vendimi i presidentit Tomislav Nikoliq për të mos marrë pjesë në përkujtimoren me rastin e 20 vjetorit të gjenocidit të Srebrenicës u kritikua ashpër nga aktivistët e të drejtave në Serbi dhe Bosnje.

Ditën e mërkurë, Nikoliq u akuzua për mohim gjenocidi pasi një raport në media tha se ai ka vendosur të mos marrë pjesë në përkujtimoren e madhe në korrik në memorialin e rreth 7,000 burrave dhe djemve boshnjakë të vrarë nga forcat serbe pas rënies së Srebrenicës  në vitin 1995.

Raporti i publikuar nga portali lajmeve “Danas” në Serbi ditën e martë nuk dha asnjë shpjegim të mëtejshëm për vendimin e Nikoliqit për të mos marrë pjesë dhe zyra e tij nuk iu përgjigj kërkesës së BIRN për një koment.

Sonja Biserko nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi tha se ajo nuk ishte e habitur nga vendimi i Nikoliqit sepse ajo tha se presidenti serb beson se vrasjet ishin një krim, por nuk arrinin në shkallë gjenocidi.

Biserko tha gjithashtu se sjellja e politikanëve serbë, përfshirë këtu edhe Nikoliqin, tregon “sa thellë Serbia ishte e përfshirë dhe përgjegjëse për atë që po ndodhte gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë”.

“Vetë mohimi i gjenocidit tregon që Serbia është përgjegjëse,” tha ajo.

Munira Subashiq, presidentja e Nënat e Srebrenicës dhe shoqatës Enklavat e Zepës, tha për BIRN se vendimi i Nikoliqit vështirëson perspektivat për pajtimin pas luftës.

“Ne e dimë se kush është ai dhe e dimë që ai ende e mohon këtë krim. Mendoj se do të kishte qenë e rëndësishme për pajtimin që ai të ishte këtu. Do të doja që fëmija ime të kishte miq si serbë ashtu edhe boshnjakë, dhe kjo s’mund të ndodhë, nëse ne s’pranojmë të vërteta të thjeshta,” tha Subashiq.

Kryetari i komunës së Srebrenicës, Camil Durakoviq, tha për BIRN se Nikoliq nuk duhet të kishte mohuar që gjenocidi ka ndodhur.

“Ne nuk do të qajmë për faktin që ai s’do të vijë, sepse kjo tregon se çfarë njeriu është ai, që ai nuk ndjen nevojën të vijë dhe të shikojë të gjithë ata viktima, kur e gjithë bota do të jetë atje. Në fakt, unë parapëlqej këtë sesa që ai të marrë pjesë nën presionin e Evropës ose të Shteteve të Bashkuara,” tha Durakoviq.

Edhe pse gjykatat ndërkombëtare dhe ato boshnjake i kanë klasifikuar masakrat e Srebrenicës si gjenocid, Serbia zyrtarisht e mohon këtë. Në vitin 2010 parlamenti miratoi një rezolutë ku i dënonte vrasjet, por nuk i quajti ato gjenocid.

Vetëm një president serb, Boris Tadiq, ka vizituar vendin e memorialit pranë Srebrenicës në Potoçari në vitin 2010.

Megjithatë, Nikoliq i kërkoi ndjesë viktimave boshnjake të masakrave në vitin 2013. “Jam në gjunjë dhe kërkoj ndjesë në emër të popullit tim për krimin e kryer në Srebrenicë,” tha ai në një intervistë në televizionin boshnjak.

Përkujtimorja e përvjetorit të Srebrenicës do të zhvillohet në korrik në memorialin në Potoçari, ku janë varrosur më shumë se 6,000 viktima të masakrave. Ish-presidenti Bill Klinton, i cili hapi fillimisht memorialin, pritet të marrë pjesë në të, njësoj si edhe presidentët e Kroacisë, Malit të Zi dhe Sllovenisë.

Para 20 vjetorit, disa grupe paqe nga Serbia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i zi kanë organizuar një sërë ngjarjesh në datën 11 të çdo muaji për të përkujtuar viktimat.

Gjatë ngjarjeve, grupi serb i paqes Gratë me të Zeza bëri thirrje për miratimin e një rezolute në parlament, e cila do të dënonte mohimin që në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid.

Gazetari serb Dushan Mashiq gjithashtu ka ndërmarrë një iniciativë për të organizuar një nderim të viktimave të gjenocidit para Asamblesë Kombëtare në Beograd më 11 korrik, ku ai pretendon të mbledhë 7,000 njerëz, që simbolizon përafërsisht numrin e boshnjakëve që u vranë.