Samsung Galaxy S23 Ultra do ta ketë kamerën me rezolucion 200 MP

Në internet janë shfaqur thashetheme të reja për gjeneratën e ardhshme të telefonave inteligjentë më të fortë të Samsung, pajisje nga seria Galaxy S. Ashtu sikurse këtë vit, kompania Samsung planifikon të prezantojë tri modele telefonash – Galaxy S23, Galaxy S23+ dhe modelin më të fortë Galaxy S23 Ultra.

Të gjithë telefonat duhet të mundësohen nga çipi i ardhshëm dhe më i fuqishëm i Qualcomm (Snapdragon 8 Gen 2) dhe ndoshta do të jenë të disponueshëm në disa versione në varësi të sasisë së memories dhe hapësirës së ruajtjes. Gjithashtu, të tri modelet duhet të punojnë në versionin më të fundit të sistemit operativ të Google, Android 13.

Në gjeneratat e mëparshme të telefonave të saj nga seria Galaxy S, Samsung shpesh kombinonte dy lloje të çipave – modelet me procesorë Snapdragon ishin në dispozicion në një treg, ndërsa procesorët Exynos të Samsung ishin të destinuar për tregje të tjera. Duket se kësaj tradite i ka ardhur fundi dhe Galaxy S23, S23+ dhe S23 Ultra do të mundësohen vetëm nga çipat Qualcomm, njoftuan ata në faqen e internetit të Android Central.

Përveç informacionit rreth çipave, falë të dhënave të reja mësuam gjithashtu se çfarë lloj kamerash mund të presim në modelin më të fuqishëm të gjeneratës së re të Galaxy S. Kështu, modeli S23 Ultra duhet të ketë katër kamera të pasme – ajo kryesore me një rezolucion madje 200 MP, pastaj një lente periskopike telefoto me një rezolucion zmadhimi 10x prej 10 MP, më shumë një aparat fotografik 10 MP me zmadhim të trefishtë dhe një lente ultra të gjerë 12 MP.

Bëhet fjalë, pra, për një sistem të ngjashëm kamerash si në gjeneratën aktuale të këtij telefoni dhe ndryshimi më i madh duhet t’i referohet kamerës kryesore, për të cilën mund të presim një rritje të rezolucionit nga 108 në 200 MP. Natyrisht, nuk ka të bëjë vetëm me megapikselët dhe do të jetë interesante të shihet nëse Samsung do të prezantojë disa risi dhe përmirësime të tjera në kamera.

Nuk ka ende asnjë informacion zyrtar se kur Samsung do ta prezantojë gjeneratën e re të telefonave nga seria Galaxy. Modelet aktuale u prezantuan në fund të shkurtit të këtij viti, kështu që mund të presim një datë të ngjashme prezantimi për modelet e reja, megjithëse ka zëra se kompania koreano-jugore mund t’i prezantojë ato tashmë në fund të këtij viti./Dnevnik.hr

Përgatiti: Nuhi Shala