Robotët vrasës: E ardhmja e luftërave?

Inteligjenca artificiale (AI) do të transformojë jetën tonë duke u bërë pjesë e pothuajse çdo aspekti të shoqërisë: biznesin, arsimin, transportin, mjekësinë, madje edhe politikën. Në shumicën e vendeve, kjo do të jetë një gjë e mirë, duke e evituar punën e vështirë dhe duke përmirësuar produktivitetin. Por ka një vend për të cilin ekziston një frikë me prezencën e Inteligjencës Artificiale e ky vend është ushtria.

Sipas Encyclopedia Britannica, bota do të jetë një vend shumë më i keq nëse, pas 20 viteve, ushtria do të përdorë sisteme vdekjeprurëse të armëve autonome (LAWS), sepse nuk ka ligje në lidhje me LAWS. Media pëlqen t’i quajë ata “robotë vrasës”. Problemi me emërtimin e tyre si “robotë vrasës” është se kjo na jep një pamje të filmit Terminator. Megjithatë, nuk është Terminatori ai që parqet shqetësim për shoqërinë tonë. Janë teknologjitë shumë më të thjeshta që janë, në rastin më të mirë, një dekadë apo më shumë se kaq larg. Ta marrësh një dron ekzistues të llojit Predator dhe ta zëvendësosh atë me pilotin njerëzor me një kompjuter – kjo është teknikisht e mundur sot.

Atraktiviteti i teknologjive të tilla është i dukshëm. Lidhja më e dobët në një dron është lidhja e radios me bazën e saj. Dronët janë sabotuar duke e bllokuar radiolidhjen e tyre. Nëse arrini ta bëni një dron të fluturojë, të gjurmojë dhe shënjestroj vetveten atëherë ju ia keni dalë që ta keni armën e përsosur nga një perspektivë teknologjike. Një dron nuk fle kurrë dhe lufton 24/7. Do të ketë saktësi dhe reflekse mbinjerëzore.

Megjithatë, ka shumë arsye pse ky do të jetë një zhvillim i tmerrshëm në beteja luftarake. Ky do të jetë një revolucion në luftë. Revolucioni i parë në luftë ishte shpikja e barotit të armës. E dyta ishte shpikja e armëve bërthamore. Dhe kjo do të jetë e treta. Secili ishte një ndryshim hapi në shpejtësinë dhe efikasitetin me të cilin ne mund të vrisnim kundërshtarët tanë.

Këto do të jenë armë të shkatërrimit në masë. Më parë, nëse do të bënit dëm, do të duhej të kishit një armatë ushtarësh për të bërë luftë. Tani, do të duhej vetëm një programues. Si çdo armë tjetër e shkatërrimit në masë para saj, si ato kimike, biologjike dhe bërthamore, armët e tilla do të duhej të ndaloheshin.

Këto do të jenë armë terrori që do të bien në duart e terroristëve dhe shteteve mashtruese që nuk do të kenë asnjë shqetësim për t’i përdorur të njëjtat armë edhe mbi popullatat civile. Ata do të jenë armë ideale përmes të cilave mund të shtypen popullatat civile. Ndryshe nga njerëzit, këto armë nuk do të hezitojnë të kryejnë mizori, madje edhe gjenocid.

Këto armë nuk do të jenë më etike sesa njerëzit ushtarë. Ne nuk dimë sot se si të ndërtojmë armë autonome që do ta ndjekin ligjin humanitar ndërkombëtar dhe nuk dimë për ndonjë sistem kompjuterik që nuk mund të hakohet. Dhe ka shumë aktorë të këqij atje që do të tejkalojnë çdo pengesë që mund tu vihet atyre për të arritur qëllimin për të pasur kontroll mbi to.

Këto armë do të jenë kallashnikovët e së ardhmes. Ndryshe nga armët bërthamore, ato do të jenë të lira dhe të lehta për tu prodhuar. Kjo nuk do të thotë që ato nuk mund të ndalohen. Armët kimike janë të lira dhe të lehta për tu prodhuar, por janë të ndaluara. Dhe bota nuk ka nevojë të zhvillojë armë autonome si parandaluese kundër atyre që mund ta injorojnë një ndalesë – bota nuk ka nevojë të zhvillojë armë kimike për të parandaluar ata që ndonjëherë, në të ardhmen, mund të përdorin armë kimike. Ne tashmë kemi mjaft pengesa, ushtarake, ekonomike dhe diplomatike, me të cilat mund ti parandalojmë ata që vendosin të injorojnë traktatet ndërkombëtare.

Mbi të gjitha, ekziston një argument i thellë moral se ne heqim dorë nga një pjesë esenciale e njerëzimit tonë nëse u lëmë në dorë makinerive vendimin nëse dikush duhet të jetojë apo të vdesë.

Le të mos shkojmë kësaj rruge.

 

Përkthyer nga: Nuhi Shala