Pay Later - opsioni më i ri i pagesave nga Apple

Apple Pay dhe një sërë opsionesh pagese të lidhura e kanë shndërruar gradualisht Apple në një bankë.

Me prezantimin e shërbimit të ri Pay Later, Apple është hedhur në fushën e huave dhe planifikon të bëjë gjithçka brenda kompanisë, shkruan Bloomberg. Dega e saj Apple Financing LLC thuhet se është e licencuar për t’u dhënë hua klientëve dhe do të mbetet e ndarë nga biznesi kryesor i kompanisë.

Pay Later u zbulua në WWDC të këtij viti. Shërbimi do t’i lejojë klientët të blejnë diçka përmes Apple Pay dhe më pas t’i kthejnë ato para pa interes në katër këste gjatë gjashtë javëve të ardhshme dhe kjo është hera e parë që Apple merr përgjegjësi financiare.

Kompania, në partneritet me Goldman Sachs, vendosi ta zbatojë shërbimin me ndihmën e Apple Card. Banka do ta ketë një rol të vogël por të rëndësishëm në shërbimin Pay Later. Prandaj, përdoruesit do të duhet të kenë Mastercard të Apple, të lëshuar nga Goldman Sachs, në mënyrë që të përfitojnë nga shërbimi Pay Later.

Sipas CNBC, Apple do ta kryejë një kontroll të butë krediti përpara se ta lejojë Pay Later. Gjithashtu nuk do të lejojë blerje shtesë nëse klienti nuk paguan rregullisht këstet dhe Pay Later nuk do të ndikojë në vlerën e kredisë së dikujt (Apple nuk do të raportojë këstet e papaguara në zyrat e kreditit). Apple Pay Later thuhet se do të ketë një limit prej 1000 dollarësh dhe ende nuk dihet nëse kompania do të paguajë interes për këstet e papaguara.

Përpjekja e Apple për t’i mbajtur shërbimet financiare nën çatinë e saj përfaqëson një hyrje potenciale më të vështirë në botën e financave, si dhe një përpjekje afatgjatë për t’i mbajtur klientët brenda ekosistemit të saj. Me qasje në një kartë krediti fizike dhe Pay Later, jeni të detyruar të përdorni iPhone për shkak të thjeshtësisë së veçorive të tij. Pay Later fillimisht do të bëhet i disponueshëm në SHBA dhe më pas në pjesën tjetër të botës./Verge

Përgatiti: Nuhi Shala