LG, televizori që nuk ka nevojë për kabllo shtesë dhe që i transmeton pamjet dhe zërin përmes valëve

LG prezantoi televizorin 97-inç LG Signature OLED M (modeli M3) në CES 2023. Është televizioni i parë në botë që përdor teknologjinë Zero Connect, pra pranon video dhe audio në kohë reale me valë.

Sipas kompanisë LG, ndryshe nga televizorët standardë, të cilët kanë të gjitha portat hyrëse për lidhjen e pajisjeve të jashtme të vendosura anash ose mbrapa, M3 vjen me një kuti të veçantë Zero Connect që dërgon me valë sinjale video dhe audio në ekranin 97 inçësh të LG-së. Meqenëse mund të vendoset larg televizorit, kutia Zero Connect e bën instalimin më të lehtë dhe jep më shumë liri në rregullimin e hapësirës.

Kutia vjen me porte të shumta për pajisjet e zakonshme HDMI, të tilla si kutitë kabllore/satelitore dhe konzolat e lojërave, dhe gjithashtu mund të lidhet me valë me shiritat zanorë të përputhshëm.

Zgjidhja me valë e LG-së i lejon përdoruesit të shijojnë përmbajtje 4K 120 Hz dhe tingull të qartë e të mprehtë pa ndërprerje ose ulje të cilësisë, falë një algoritmi të zhvilluar posaçërisht që identifikon në çast rrugën optimale të transmetimit. Kështu, ndihmon për t’i minimizuar gabimet ose ndërhyrjet në transmetim, sepse njeh ndryshimet në mjedisin e menjëhershëm, të tilla si lëvizjet e njerëzve ose kafshëve shtëpiake në dhomë, dhe ndryshon shtigjet në përputhje me rrethanat.

Për fuqinë maksimale të sinjalit, antena e kutisë mund të rrotullohet dhe/ose të anohet lehtësisht për t’u lidhur me televizorin dhe për përdorim maksimal, kutia Zero Connect aktivizohet me njohjen e zërit, që do të thotë se përdoruesit mund ta ndezin dhe kontrollojnë M3 dhe pajisjet e lidhura duke folur komanda të thjeshta.

Përveç Zero Connect, M3 mund të mburret edhe me One ëall Designe, për shkak të të cilit TV dhe kllapa e integruar vendosen në të njëjtën linjë me murin pa një boshllëk të dukshëm.

Tani për tani, LG nukka dalë me çmimin e pritshëm të kësaj pajisjeje (ose më saktë, këtyre), por dihet se ajo mund të shfaqet në treg në gjysmën e dytë të vitit 2023./Dnevnik.hr

Përgatiti: Nuhi Shala