Lojtarë e tifozë të Dritës rrëfejnë si e përjetuan titullin e kampionit dy vite më parë

Më 20 maj të vitit 2018, skuadra nga Gjilani, FC Drita, u bë kampion i Kosovës për herë të dytë në historinë e saj.

Në xhiron e fundit, Drita barazoi pa gola me konkurrentin për titull – Prishtinën.

Pas 33 ndeshjeve, Drita pozicionohej në vendin e parë me 67 pikë, tri më shumë se Prishtina.

Ndeshja Prishtina – Drita u luajt në stadiumin “Haxhi Islami” në Pejë, pasi stadiumi i kryeqytetasve ishte duke u rinovuar.

Gëzimi i lojtarëve, i kryesisë dhe i “Intelektualëve” – tifozëve të klubit ishte i papërshkrueshëm.

Sot është dyvjetori i këtij suksesi të klubit gjilanas. Titulli i fituar më 20 maj 2018 ishte i dyti për të: të parin e kishte fituar në sezonin 2002/2003.

Lojtarë e tifozë të Dritës rrëfejnë për KALLXO.com emocionet e asaj dite.

Kapitenit të Dritës, Ardian Limani, thotë se atë ditë iu plotësuan dy ëndrra: të fitonte skuadra e tij e zemrës titullin e kampionit dhe të bëhej pjesë e saj.

“Ëndrra më e madhe e karrierës time gjithmonë ka qenë titulli i kampionit. Kjo ëndërr ka qenë trashëguar qysh si fëmijë, si tifoz i ekipit, sepse në fillim e kisha ëndërr që ekipin tim të zemrës ta shihja kampion. Mirëpo, duke ëndërruar titullin, unë së pari plotësova një ëndërr tjetër duke u bërë pjesë e skuadrës, madje pas disa vitesh edhe kapiten dhe barra për ta plotësuar ëndrrën e madhe veç se mu shtua”, rrëfen Ardian Limani për KALLXO.com.

Ai tregon se tërë javën para ndeshjes e kishte parë ëndërr çdo sekuencë të përballjes me Prishtinën.

“Të ju them të drejtën javën e ndeshjes finale, kundër Prishtinës kam parë në ëndërr çdo situatë të lojës. Ndoshta nga rëndësia e ndeshjes, mirëpo e kemi menaxhuar shumë mirë situatën duke qëndruar të bashkuar dhe të vendosur për ta plotësuar ëndrrën”, zbulon futbollisti kosovar.

Momenti i përfundimit të ndeshjes, i cili e kishte shpallur zyrtarisht kampione skuadrën e Dritës, Ardian Limanin e kishte gjetur të mpirë nga emocionet.

“Momenti kur përfundoi ndeshja, isha si i mpirë dhe nuk e besoja që mu plotësua ëndrra jetësore. Mirëpo, ajo që e bëri madhështor këtë triumf ishte entuziazmi i tifozëve tanë, sepse kudo tjetër ta fitoja titullin kampion nuk do të isha ndjerë ashtu. Unë isha njëri prej tyre në të njejtën kohë kapiten dhe tifoz i skuadrës. Unë bashkë me ta e kam ëndërruar atë ditë”, tregon mbrojtësi gjilanas.

Pas triumfit gjilanasit kishin festuar para teatrit të qytetit në mbrëmje deri në orët e mëngjesit së bashku me futbollistët e kësaj skuadre. Kjo festë për Ardian Limanin ishte e paharrueshme.

“Festa pas kthimit në qytetin tonë ishte më madhështorja që mund të shihet. Gjithsecili e shijonte festën, ishim të çmendur deri në mëngjes. Nuk do ta harroj kurrë asnjë moment të asaj feste. Ishte viti më i suksesshëm i jetës time. Unë i falënderoj ‘Intelektualët’ dhe i premtoj që sërish do të japim më të mirën për t’i sjellë trofe të tjera në vend”, përfundon Ardian Limani.

Fitimi i titullit të kampionit për sulmuesin Kastriot Rexha ishte ndjenjë e papërshkruar për të.

“Është shumë ndjenjë e papërshkruar ajo ditë kur jemi bërë kampion me Dritën, duke marrë parasysh se ka qenë një kohë e gjatë pritjeje. I jemi falënderuar tifozëve tonë, për të gjithë atë përkrahje që na është dhënë në atë kohë”, thotë Kastriot Rexha.

Aktori Fatmir Spahiu është njëri prej themeluesve të tifo-grupit “Intelektualët”, në vitin 1998.

Spahiu në një bisedë për KALLXO.com ka treguar për emërtimin “Intelektualët”.

“Po është e vërtetë, tifozët e Dritës kanë qenë të organizuar shumë vite më përpara si grup, por pa emër. Në vitin 1998 thjeshtë janë emërtu. Atëherë grup relativisht i vogël, por me diversitet në moshë, pra nga 17 që i kisha unë e deri te 50-60 vjeçar. Ky grup është rritur shpejt dhe në mënyrë rekorde shumë masive. Sepse qytetarët e Gjilanit, Dritën e kishin brenda vetes qysh nga Lufta e Dytë Botërore, thjesht duhet të ngacmohej pak kujtesa e tradita, në mënyrë që njerëzit të ktheheshin te klubi i tyre i zemrës”, tregon aktori i njohur gjilanas.

Fatmir Spahiu aktivitetin te tifo-grupi “Intelektualët” e kishte përfunduar në vitin 2001.

“Aktiviteti im përfundon në vitin 2001, pastaj kam qenë thjesht një dashamirës i klubit të tifozëve dhe disa vite edhe anëtar i kryesisë së klubit. Në kryesi kam qenë atëherë kur ka qenë më së vështirë së bashku me kryetarin Saqip Shalën dhe disa miq të tjerë. Kjo ishte kryesia që pak a shumë nuk e la Dritën të shuhej për shkak të financave”, vazhdon tregimin Spahiu.

Titullin e vitit 2018 të Dritës, për Fatmir Spahiun e bëri më madhështore paraqitja në Ligën e Kampionëve.

“Çdo sukses i Dritës, e sidomos paraqitjet fenomenale të “Intelektualëve” i përjetoj me kënaqësinë më të madhe. Shpallja kampion atë vit kishte rëndësi më të madhe për faktin që Drita u paraqit në Ligën e Kampionëve dhe ky fakt e bënte edhe më madhështore këtë titull”, vlerëson ai.

Fatmir Spahiu i ka përjetuar të dy titujt e Dritës, atë të vitit 2003 dhe 2018. Ai i tregon dallimet e dy titujve të fituar nga skuadra gjilanase.

“Viti 2003 është shumë i veçantë për faktin që Drita shpallej për herë të parë kampion qysh nga themelimi në vitin 1947. Titulli i vitit 2003 ishte po ashtu një kurorëzim i investimit 7 vjeçar të Selami Osmanit. Fitimi i titullit më 2003 nuk dërgonte askund, pos disa postereve në gazeta javore e ditore. Benefitet për kryesinë dhe tifozët pos prestigjit dhe nderit nuk kishte ndonjë gjë tjetër. Fitimi i titullit të dytë sjelli shumë benefite si për kryesinë ashtu edhe për tifozët. E përbashkëta e këtyre dy periudhave është se Dritën e drejtonin bizmenet vizionar dhe adhurues të sportit dhe zhvillimit, në atë kohë Selami Osmani, kurse tashti Flamur Bunjaku”, vlerëson Fatmir Spahiu.

Fatmir Spahiu në vitin 2003 me trofeun e parë të Dritës

Tifozëve të Dritës në ditën e ndeshjes iu ishte lejuar që në stadium të ishin prezent vetëm 100 tifozë, kurse qindra të tjerë ishin në përkrahje afër stadiumit.

Arbër Rama, ishte njëri prej 100 tifozëve, që ishin prezentë në stadiumin “Shahin Haxhiislami”, për ta përkrahur skuadrën e tyre.

Rama thotë se emocionet e 20 majit të vitit 2018 ishin të papërshkrueshme me fjalë.

“Emocionet e asaj dite ishin dhe do të jenë të papërshkrueshme me fjalë. Gjithçka kishte filluar shumë më herët, mirëpo momenti kur nga qyteti ynë u nisën qindra njerëz pas mesnatës, pra duke shkuar në Pejë do të mbetet gjatë në memorien time dhe do të jetë moment i papërsëritshëm”, tregon Arbër Rama.

Emocionet e kishin rrëmbyer tifozin gjilanas, pasi gjatë ndeshje nuk kishte mundur t’i mbante lotët nga stresi dhe nga rëndësia e asaj ndeshjeje.

“Unë kam pasur fatin të jem pjesë e 100 tifozëve brenda stadiumit, ne jemi nisur të gjithë së bashku me dy autobusa. Atmosfera ka qenë frenetike dhe e papërshkrueshme si para nisjes, gjatë rrugës dhe kur arritëm në Pejë. Shpeshherë, jam mbërthyer nga lotët që nuk mund t’i mbaja nga stresi dhe rëndësia jetike e atij 90 minutëshi në Pejë. Kur mbërritëm në Pejë, patëm një pritje të ngrohtë nga qytetarët atje, mirëpo e paparë ndonjëherë ishte numri i “Intelektualëve” që kishin udhëtuar vetëm për të qenë në Pejë, pasi ishte e ditur që hyrja në stadiumin “Shahin Haxhiislami” ishte e pamundur. Shumica në park përballë stadiumit e një numër tjetër i konsiderueshëm mbi një çati të një ndërtese të gjithë bashkë për një qëllim, për Dritën kampion pas 15 vitesh”, rrëfen Arbër Rama me emocion duke e kujtuar ditën e 20 majit të vitit 2018.

Arbëri thotë se tifozët e Dritës, përkundër pritjes 15 vjeçare, asnjëherë nuk i kishin humbur shpresat se titulli i kampionit do të rikthehej në qytetin e Gjilanit.

“E kemi pritur gjatë. Shumë gjatë, mirëpo as edhe një moment të vetëm nuk e kemi humbur shpresën që do të vijë dita që qytetit tonë të ‘ia rikthejmë dinjitetin me trofeun më të çmuar në futbollin kosovar, titullin e kampionit.  Më speciale pritjen 15 vjeçare e bëri paraqitjet tona në Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Europës. Thjesht do mbetet përjetësisht në memoriet tona”,  shprehet Arbër Rama, tifoz i skuadrës së Dritës.

Futbolli në Kosovë është pezulluar prej 13 marsit nga Qeveria e Kosovës, si masë parandaluese për përhapjen e pandemisë së coronavirusit.

Futbolli i Kosovës e ka marrë dritën e gjelbër nga insituticionet e vendit në këtë javë për rifillimin e futbollit kosovar me 2 dhe 3 qershor do të nis me ndeshjet e kupës.

Drita pas 22 ndeshjeve, pozicionohet në vendin e dytë me 43 pikë, një pikë më pak se Ballkani, duke mbetur në garë për titullin e kampionit për sezonin 2019/2020.

 

Arbër Rama – tifoz i Dritës