FBK merr vendim që të lejojë tifo-grupet e organizuara të tifozëve në ndeshjet e basketbollit

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK), ka njoftuar se ka marrë vendim që të lejohen të marrin pjesë nëpër ndeshjet e basketbollit tifo-grupet e organizuara të tifozëve.

Pjesëmarrja e tyre në basketboll ishte ndaluar që nga dhjetori i vitit të kaluar, pas dhunës së shfaqur në ndeshjen KB Sigal Prishtina – KB Trepça në 11 dhjetor 2022.

Përmes një komunikate për media, FBK-ja ka thënë se arsyeja e lejimit, është se nuk ka pasur më incidente.

“Prandaj, deri në vendim tjetër, lejohet pjesëmarrja në mënyrë të organizuar dhe me çfarëdo shenje dalluese e të gjitha grupeve të tifozëve në ndeshjet e basketbollit të organizuara nga FBK” – thuhet në njoftim.

Më 15 dhjetor 2022, FBK-ja, pas rekomandimit të Këshillit për Parandalimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive, kishte marrë vendim që të ‘ndalohej pjesëmarrja në mënyrë të organizuar dhe me çfarëdo shenje dalluese e të gjitha grupeve të tifozëve në ndeshjet e basketbollit’.

Shkak i vendimit ishte dhuna e shfaqur në mes tifozëve në ndeshjen e Superliges ndërmjet KB Sigal Prishtinës dhe KB Trepçës, ku ishin dëmtuar ulëset e sallës sportive dhe ishin lënduar disa policë.

Pas incidentit të mbrëmshëm, Këshilli për Sport rekomandon të ndalohen tifo-grupet në ndeshjet e basketbollit