Arineta Mula triumfon në maratonën e vrapimit malor në Vodno – Matka të Maqedonisë së Veriut

Alpinistja Arineta Mula, përveç alpinizimit dhe bjeshkatarisë e ecjes malore, njihet edhe si vrapuese e mirë.

Mula, sot ka zënë vendin e parë në maratonën malore të mbajtur në Vodno – Matka në Shkup të Maqedonisë Veriore.

Maratona ka qenë e gjatë 42 kilometra me 3100 metra ngjitje malore.

Arineta ka lënë mbrapa garueset nga Maqedonia e Veriut, Katerina Shipovikj dhe Maja Boshkoska.

Kurse, Erida Kurshumlija ka zënë vendin e pestë në këtë maraton.

Ajo në një bisedë për KALLXO.com ka thënë se vrapi në shtigje malore nuk është i thjesht, sepse mund ta humbin rrugën.

“Vrapi nëpër shtigje malore është jo thjeshtë veç vrapim, duhesh me pas përqëndrim mos me humb shtegun, sepse në mal, për dallim nga asfalti ku vrapi zhvillohet dhe nuk ki asnjë mundësi me e humb shtegun”, ka thënë ajo fillimisht për KALLXO.com.

“Bora së fundi që ka ra e ka mbushë shtegun në lartësinë e malove, po ashtu këto dy ditët e fundit janë ngritë temperaturat dhe e kanë shndërru shtegun si tepër të papërshtatshëm për shkak të lagështisë, lloqit, grumbullimin e ujit, rrjedhja e ujit nëpër shteg që e vështirëson vrapin e sidomos rrëshqitje kur ngjitesh”, ka rrëfyer ajo për KALLXO.com.

Arineta Mula ka triumfuar në garën e sotëm nga 86 vrapuese sa ishin nga vende të ndryshme të botës.