Arineta Mula ka ngritur flamurin e Kosovës në malin më të lartë të Evropës, Elbrus

BBC prezanton alpinisten kosovare që e pushtoi Everestin

E lindur në një vend me luftë, alpinistja Arineta Mula është duke thyer kufijtë nga një mal në tjetrin, shkruan BBC.

Pavarësi e sapokrijuar

Një vend i mbyllur, sovraniteti i të cilës është njohur vetëm prej 116 vendeve të botës nga 195 sa janë gjithsej, siç gjendet në dokumentet e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, Kosova shpesh konsiderohet vendi më i ri në Evropë. Shpalli pavarësinë e saj nga Serbia më 17 shkurt të vitit 2008, pas dekadave të konfliktit etnik në Ballkan, pas shpërbërjes së Jugosllavisë në vitin 1991.

Arineta Mula, më e reja nga katër vëllezërit e motrat, lindi në vitin 1988, në një botë të turbullt, ku shqiptarët e Kosovës dhe serbët, ishin në konflikt të vazhdueshëm dhe shpesh vdekjeprurës mes njëri-tjetrit. Ajo u rrit në epokën e Luftërave Jugosllave, të cilat shpesh përmenden si më vdekjeprurëset në Evropë ,që nga Lufta e Dytë Botërore.

Duke i arritur majat

Pavarësisht rrethanave sfiduese, Mula është ngritur për të pushtuar disa nga majat më të larta të botës, duke përfshirë edhe malin Everest në vitin 2017. Fama e saj lokale, si një nga alpinistet më të njohura të Ballkanit, filloi mjaft rastësisht pasi ajo u largua nga qyteti i saj i lindjes, Peja për të studiuar shkencat politike në Universitetin e Prishtinës në moshën 18 vjeçare.

Ndërkohë që jetonte në kryeqytetin e Kosovës, ajo zbuloi ngjitjen. “Unë kurrë nuk e kisha bërë më parë”, tha Mula, “por një mik sugjeroi që të shkojmë për një ngjitje dhe unë pranova. Menjëherë më kapi. Çdo fundjavë që nga ngjitja e parë, isha diku në malet e Kosovës”.

Alpinistja e rastësishme

Nuk ishte qëllimi i Mulës për t’u bërë një alpiniste. Në Kosovë, si në shumë vende të Ballkanit që e rrethojnë (duke përfshirë Serbinë, Malin e Zi, Shqipërinë dhe Republikën e Maqedonisë Veriore), gratë kanë tendencë të ndjekin rolet tradicionale femërore, që i mbajnë ato në shtëpi dhe jashtë fuqisë punëtore. Sipas Bankës Botërore, vetëm 18 për qind e grave kosovare marrin pjesë në punë të të paguar.

Por Mula kishte ide tjera. Para se të lindte, babai i saj ishte larguar për në Zvicër, për të gjetur punë dhe nuk ishte kthyer më, përveç për vizita të herëpashershme për 18 vjet, duke e lënë nënën e saj të rriste familjen vetme në Pejë. Lufta e nënës së saj, si një prind i vetëm, në një vend të shkatërruar nga lufta, i bëri përshtypje Mulës.

“Ndjeja sikur ajo gjithë kohën po luftonte”, tha alpinistja 30 vjeçare. “Dhe nganjëherë, ndjehem sikur po luftojë gjithë kohën edhe unë.”

Artikullin e plotë mund ta gjeni KËTU.