Aleksandar Vuçiq - Foto: REL

Vuçiq takoi ambasadorët e Quint-it, u bisedua edhe për taksën e vendosur nga Kosova

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, takoi ambasadorët e vendeve të Quint-it, përkatësisht Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Francës, Italisë dhe Gjermanisë, si dhe shefin e delegacionit të Bashkimit Europian në Beograd, njoftoi Zyra për bashkëpunim me media e presidentit të Serbisë.

Sipas saj, Vuçiq bisedoi me diplomatët ndërkombëtarë për Samitin e Berlinit, që u mbajt javën e kaluar, takimin e tij me shefen e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, si dhe për ngecjen e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Siç transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë, bisedimet kanë qenë të hapura, konstruktive dhe gjithëpërfshirëse.

Vuçiq tha se “Serbia, pa fajin e saj, ndodhet në një pozitë të vështirë” dhe se “nuk e kupton as taksën e Prishtinës”.

Qeveria e Kosovës u ka vënë taksë 100% prodhimeve të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina qysh në nëntor të vitit të kaluar.

Serbia ka thënë se nuk e vazhdon dialogun me Kosovën, derisa kjo e fundit e mban në fuqi taksën.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se taksa nuk do të hiqet derisa Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Thirrje për heqjen e saj kanë bërë edhe zyrtarë të Bashkimit Europian dhe të Shteteve të Bashkuara.

Vuçiq përsëriti të mërkurën se Serbia do të sillet në mënyrë racionale dhe serioze dhe se do t”i vazhdojë bisedimet me Kosovën sapo të hiqet taksa.

Përfaqësuesit e vendeve të Quint-it dhe Bashkimit Evropian thuhet se i bënë thirrje presidentit të Serbisë që të përmbahet dhe të vazhdojë zgjidhjen serioze dhe të përgjegjshme të problemeve në rajon. (REL)