burimi MKRS

Vitin e ardhshëm Kosova synon anëtarësimin në UNESCO

Institucionet shtetërore të Kosovës janë duke bërë përpjeke maksimale që në vitin 2019 të aplikojë dhe të marrin mbështetjen e duhur për anëtarësim të plotë në Organizata e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë.

Kështu ka thënë ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, gjatë një ligjërate para studentëve të Fakultetit të Filozofisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina’.

Ligjërata e ministrit Gashi u organizua nga organizata studentore “Reforma” dhe Këshilli i Studentëve të Fakultetit Filozofik.

Gjatë prezantimit të tij ministri i MKRS Gashi ka diskutuar për trashëgiminë kulturore dhe çështje që kanë të bëjnë me anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

Duke folur rreth punës që po bën dikasteri që ai drejton rreth trashëgimisë kulturore dhe anëtarësimin në UNESCO, ministri Gashi ka potencuar se në koordinim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, si dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme, është duke u bërë një punë e madhe që në vitin 2019 Kosova të mund të bëhet anëtare me të drejta të plota në UNESCO.

“Jemi duke u angazhuar maksimalisht si në aspektin e përmbushjes së obligimeve tona ndërinstitucionale, po ashtu edhe në aspektin e lobimit tek vendet anëtare të UNESCO-s në mënyrë që të arrihet një përkrahje sa më e madhe dhe Kosova të kaloj me sukses procesin e votimit që do të mbahet në vitin 2019 dhe të bëhet anëtare me të drejta të plota në UNESCO”, tha thënë Gashi para studentëve.

Më tej ministri ka folur edhe për trajtimin që MKRS po i bën fushës së trashëgimisë kulturore, ku siç ka thënë ai, një punë e mirë është duke u bërë me draft-ligjin e ri për trashëgiminë kulturore në Republikën e Kosovës, i cili pritet sipas tij, që në një të ardhme sa më të afërt të merr edhe miratimin e Kuvendit.

Më pas ministri ka zhvilluar një diskutim me studentët duke iu përgjigjur pyetjeve dhe interesimit të tyre rreth punës së MKRS.

Ndër të tjera nga ky takim doli ideja për bërjen e një muzeu brenda hapësirave të kampusit universitar, ku do të vendoseshin artefakte dhe monumente të ndryshme që pasqyrojnë trashëgiminë kulturore të Kosovës, ide kjo që ministri Gashi tha se është e qëlluar dhe premtoi mbështetjen e tij për realizimin e saj.