Takimi i kryeministrit Haradinaj me familjarët e të pagjeturve, Foto: Kallxo.com

VIDEO - Haradinaj premton buxhet për Shoqatat e të pagjeturve

Në një takim me familjarët e të pagjeturve, kryeministri Ramush Haradinaj ka deklaruar se do t’i propozoj Qeverisë që të ndahet buxhet për 24 shoqatat për të pagjeturit nga lufta e fundit në Kosovë.

Po ashtu Haradinaj ka thënë se do t’i propozoj edhe Ekipit Negociator në dialogun Kosovë – Serbi që të bashkëpunojnë me këto shoqata në mënyrë që çështja e të pagjeturve të jetë pjesë e bisedimeve.

“Sot në këtë takim do të kishim mundur me i bisedu dy tema, pozicionin ligjor për të pagjeturit dhe përkrahjen për shoqatat e të pagjeturve. Janë 24 shoqata të të pagjeturve. Do t’i propozoj qeverisë që të ndahet një buxhet për secilën shoqatë. Edhe delegacionit për bisedime do tu them të bashkëpunojnë me ju në mënyrë që tema e të pagjeturve në dialogun Kosovë – Serbi të ketë një pjesë”, ka thënë Haradinaj.

I pari i Qeverisë ka thënë që shpreson që një ditë të arrihet marrëveshje me Serbinë duke i konsideruar të pagjeturit si një plagë për të gjithë.

“Arsyeja e këtij takimi ka të bëj me faktin pasi që shpresojmë që një ditë të arrihet një marrëveshje me Serbinë por edhe një pajtim, pa e shtri dorën e pajtimit ju për të pagjeturit edhe pajtimi është i zorshëm. E dimë se ende është një numër i të pagjeturve 1647 prej të cilëve serb janë 444. Disa prej të cilëve figurojnë të zhdukur edhe pas luftës por kjo është një plagë për të gjithë”, ka shtuar Haradinaj.

Përderisa kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenk Gjetaj ka deklaruar se prej se Jahja Lluka është emëruar Mbajtës i Dosjes për çështjen e personave të pagjetur, ka më shumë angazhim në lidhje me këtë çështje.

Mbajtësi i Dosjes për çështjen e personave të pagjetur, Jahja Lluka ka deklaruar se familjarët e të pagjeturve kanë kërkesa për ndryshimin e ligjit. Madje ai ka ngritur edhe çështjen e ndaljes së pensionit kontributdhënës për familjarët e të pagjeturve.

“Qysh nga ky muaj intensivisht do të fillojmë me disa punëtori dhe deri në fund të marsit do të krijojmë një draft për këtë çështje. Familjarëve të të zhdukurve iu është ndaluar pensioni kontribut dhënës. Jemi ithtar që brenda mundësive financiare të rrisim ketë pension. Ka edhe një kërkesë që është shumë e qartë, ata që kanë gjetur familjarët e tyre nuk kanë të drejtë pensioni dhe kërkesë është që edhe atyre tu vazhdohet pensioni. Me 170 euro, duke bazuar qe disa janë në moshë, disa kanë sëmundje, shpresoj që ky pension të rritet”, ka potencuar Lluka.