Veseli: Do ta Luftojmë Korrupsionin

I zgjedhur dje kryetar i PDK-së në konventën e shtatë të kësaj partie, Kadri Veseli ka premtuar sot se formacioni të cilin e drejton nuk do të rrijë duarkryq sa i përket korrupsionit, i cili , sipas tij, po e shkatërron të ardhmen e fëmijëve të Kosovës.

Në këtë drejtim, Veseli premtoi se PDK do të angazhohet në forcimin e sistemit të drejtësisë dhe përmirësimin e boshllëqeve juridike që e pengojnë luftimin e korrupsionit.

Në fjalimin e tij drejtuar të pranishmëve dhe qytetarëve në ditën e pëmbylljes së punimeve të konventës së Partisë Demokratike të Kosovës, lideri i ri i kësaj partie foli edhe për rolin vendimtar, sipas tij, të PDK-së në të gjitha proceset historike të Kosovës në dy dekadat e fundit.

“Unë ju jap fjalën se do të punoj që PDK të mbetet e tillë dhe të bëhet forcë shtyse e zhvillimit ekonomik dhe integrimeve euroatlantike”, tha Veseli.

“Ne do të vazhdojmë t’i jemi përherë falënderues për rrugëtimin tonë Amerikës që na kanë qëndruar përherë në krah në momentet më të vështira”, shtoi kryetari i ri i PDK-së, i cili pati falënderime të veçanta për ish-kryetarin e partisë dhe presidentin aktual të vendit, Hashim Thaçin.

Për sukseset e javës së kaluar të Kosovës, pranimin në UEFA dhe rekomandimin për heqjen e vizave, hisedarë Kadri Veseli bëri edhe qytetarët e Kosovës.

Veseli premtoi se vendi do t’ia dalë përballë problemeve ekonomike me të cilat po ballafaqohen qytetarët. “Unë jam këtu të them se nuk e kemi fituar luftën për ta humbur paqen”, tha ai.

http://kallxo.com/konventa-qe-zgjedh-kryetarin/

http://kallxo.com/thaci-uron-veselin/