Albert Rohan dhe Martti Ahtisaari. Foto: OSCE

Skender Hyseni tregon rolin e Albert Rohan në çështjen e Kosovës

“Albert Rohan ka qenë dora e djathë e Marti Ahtisaarit dhe ka qenë njeriu i cili ka qenë vendimtar sa i përket substancës së raportit të Ahtisaarit dhe rekomandimit për pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën”.

Kështu e ka përshkruar rolin e Alber Rohan, ish-zëdhënësi i Grupit Negociator të Kosovës në bisedime më Serbinë, Skender Hyseni.

Rohan ka vdekur sot në moshën 83-vjeçare. Ai ka qenë pjesë e ekipit të misionit të Marti Ahtisarit në bisedimet që çuan në shpalljen e pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2008.

Hyseni thotë për KALLXO.com se Rohani ka qenë i kyçur në çështjen e Kosovës që nga viti 1994.

“Ai ka qenë një njeri instrumental gjatë procesit negociator në Vjenë. Rohani që nga viti 1994 ka qenë aktivisht i kyçur në problemin e Kosovës. Unë e kam njohur që nga viti 1995 dhe kam pasur raporte shumë të mira si dhe shumë miqësore”, tha Hyseni.

Skender Hyseni, ish-ministër i Punëve të Jashtme. Foto: Kallxo.com

Tutje Hyseni thotë se Albert Rohan ka qenë shumë i preokupuar për jetën e qytetarëve të Kosovës dhe se ishte prezent në çdo takim që është mbajtur.

“Ai kishte mendim kulminant për Kosovën dhe është preokupuar shumë për Kosovën dhe çështjen e saj, është preokupuar me mirëqenien e qytetarëve të Kosovës dhe mirëqenien e mirë. Bisedimet kanë zgjatur më shumë se 1 vit e gjysmë dhe ai ka qenë në çdo takim pa përjashtim, ai e ka diktuar tempon e negociatave e të bisedimeve dhe ka qenë instrumental në çdo pikëpamje”, shtoi Hyseni.

Rohan kishte lindur në Melk në vitin 1936. Ai kishte studiuar drejtësinë në Universitetin e Vjenës dhe në Kolegjin e Evropës në Bryzh, Belgjikë. Rohan u bë pjesë e shërbimit diplomatik më 1963 dhe punoi në ambasadat në Beograd dhe Londër.

Në vitin 2006, Rohan dha një kontribut të rëndësishëm në negociatat e Përfaqësuesit Special të OKB-së Marti Ahtisaari, për statusin e ardhshëm të krahinës autonome serbe atëkohë, Kosovës, nën administrimin e OKB-së.

Si rezultat i negociatave të Vjenës shpaloset plani për Kosovën, i njohur si Plani i Ahtisarit, i cili zbatohet më pas duke ofruar zgjidhjen përfundimtare për statusin e Kosovës.