Aksidenti i autobusit afër Shkupit - Foto: REL/AFP

Rrëfimi i qytetarit që barti shoferin e autobusit dhe të lënduarit e aksidentit

“Shoferi u kon pas asaj veturës së policisë, atje në fund! Ai ishte I shtrirë në tokë! Edhe ne i kemi dhënë ndihmën e shpejt, edhe ra në vetëdije pak. Pastaj e qitëm në kerr!”.

Shoferi i autobusit është çelësi për të kuptuar shkaqet që çuan në vdekjen e 14 udhëtarëve dhe lëndimin e 39 të tjerëve të mërkurën mbrëma në afërsi të fshatit Llaskarcë skaj autostradës Shkup-Tetovë.

Këtë gjë e ka kuptuar edhe Muzafer Ziberi, i cili transportoi për spital shoferin e gjallë dhe pesë të aksidentuar të tjerë nga rrokullisja e autobusit.

“I pari jam që kam qenë në vendin e ngjarjes, dhe në spital. Shoferin e autobusit unë e kam pasë… Ai ka qenë në rrugë. Prej se u rrotullua autobusi , ai ka dal prej dritares. Ai ishte në tokë, pa vetëdije. I kemi qit ujë, dhe ju kthye vetëdija! E kam kap, dhe në këmbë të veta ka hyp në veturë, në karrigën e parë! Edhe ai, nuk ishte në vetëdije të plotë, por I lëvizshëm. Në gjendje jo kritike, shumë. Edhe unë i kam bartë të plagosurit drejt spitalit “8 Shtatori”. I pari kam qenë në vendin e ngjarjes, edhe në spital”, tha Muzafer Ziberi, dëshmitar, i cili u dha ndihmë 6 të lënduarve.

Muzaferi tregon po ashtu se rrugës për në spital ka tentuar ta shtyjë shoferin e autobusit që të flet, dhe të mos përmendet, meqë donte ta mbante në vetëdije.

Ai rrëfen, se nga ajo që ka parë, shoferi i autobusit nga pamja fizike nuk dukej se kishte lëndime të rënda, dhe hedh poshtë dyshimet se ishte i dehur.

Madje as nuk beson se ka pësuar infarkt, meqë thotë se u çua në këmbë të veta.

“Ai as në gjendje alkoolike, se po të ishte, do t’i vinte era aty në veturë. Ai kur ra në mend, nuk bisedonte se ishte shumë i frikësuar”, u shpreh Muzafer Ziberi, dëshmitar.

Bagazhi i veturës së tij ende mban shenjat e plagëve që kishin të aksidentuarit.

Madje në veturë i ka mbetur edhe telefoni, i një të plagosurit që thotë se ishte me prejardhje nga Shqipëria ndërsa punonte në Shkup.

Muzaferi që jeton pak metra larg vendit të aksidentit, thotë të jetë traumatizuar nga rrokullisja e autobusi në arat e fshatit Llaskarcë.

“Në këtë tragjedi, që kam pa, dhe çka kam pa, ata nën autobus, dhe që s’mund t’i nxirrnim me shpirt, kufomat… ajo ishte një tragjedi që s’mund ta përshkruaj dhe unë vet… (nis të qajë dhe ofshajë). Shumë tragjedi”, tha Muzafer Ziberi, dëshmitar.

Katër udhëtarë ende vazhdojnë të jenë në gjendje të rëndë, dhe mjekët po luftojnë për jetën e tyre.

Në një nga videot dërguar redaksisë së TV21, dëgjohen edhe udhëtarët duke kërkuar ndihmë për t’I nxjerr nga rrënoja e autobusit./21Media