Shoferi i autobusit shpallet fajtor për aksidentin në Bullgari
Shoferi i autobusit është shpallur fajtor për aksidentin e rëndë që ndodhi në Bullgari ku humbën jetën 45 shtetas të Maqedonisë së Veriut, me përkatësi etnike shqiptare.
Prokurori bullgar, Borislav Sarafov ka thënë të martën për agjencinë e lajmeve BGNES, se përgjegjës për tragjedinë e rëndë është shoferi i autobusit të agjencisë “Besa Trans”.
“Shkak i aksidentit është humbja e kontrollit mbi autobusin nga shoferi. Por, edhe shpejtësia e madhe dhe e papërshtatshme, mbi normat e lejuara”, ka deklaruar kreu i shërbimit hetimor kombëtar bullgar, Borislav Sarafov.
Ai tha se tani vendimi duhet të ekzekutohet nga autoritetet gjyqësore në Maqedoninë e Veriut dhe të njoftohen familjarët e viktimave, pasi ata kanë të drejtë të kontrollojnë materialet.
Aksidenti ndodhi në orët e hershme të 23 nëntorit të vitit 2021, kur autobusi i agjencisë “Besa Trans”, i cili po kthehej nga Stambolli, goditi një bankinë në autostradën Struma, pranë fshatit Bosnek, me ç’rast humbën jetën 45 persona, përfshirë edhe shoferin e autobusit, ndërsa shtatë të tjerë pësuan lëndime trupore.
Hetimet lidhur me rastin kanë nisur edhe në Maqedoninë e Veriut, pasi autoritetet kanë konstatuar se autobusi i aksidentuar nuk kishte leje për transport ndërkombëtar të udhëtarëve.
Dy doganierë janë suspenduar nga puna pasi kishin lejuar autobusin pa leje të kalonte kufirin, agjencisë së udhëtimit i është hequr leja e punës ndërsa drejtuesi i saj, tani pas raportit të hetuesisë bullgare mbi shkaqet e aksidentit, mund të përballet dhe me masa tjera.
Bullgaria, është përballur me disa aksidente rrugore vdekjeprurëse edhe në të kaluarën.
Aksidenti i fundit ka ndodhur më 2018, kur 17 turistë bullgarë kishin humbur jetën pas rrëshqitjes dhe rrokullisjes së autobusit, si pasojë e lagështisë./REL