Qeveria Mbron Presidenten

“Qeveria e Republikës së Kosovës dënon veprimet e personave tash për tash të paidentifikuar, të cilët përmes grafiteve të vizatuara në disa pjesë të kryeqytetit, kanë fyer figurën e presidentes së Republikës së Kosovës,” thuhet në reagimin e qeverisë.

Një grafit ofendues për Jahjagën u paraqit me të hyrë në vitin e ri 2016, por atë e fshiu dje Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës, duke e lyer murin ku ai ishte paraqitur.

Por edhe sot u parqitën grafitet në një mur të një ndërtese në Prishtinë.

Ata që i vendosën këto grafite qeveria i konsideron njerëz me rrugë të humbur.

“Qeveria e Kosovës konsideron se veprimet e fundit janë gjeste rrugaqësh, të cilëve iu mungon edukata elementare dhe përmes këtyre grafiteve në fakt pasqyrojnë një sjellje të mjerë mendore të individëve që e kanë humbur rrugën në shoqërinë kosovare,” thuhet më tutje në reagimin e qeverisë.

Qeveria ua kujton të gjithëve se femrat kosovare “me sakrifica të paimagjinueshme kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për arritjen e lirisë, shpalljen e pavarësisë dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës”.