Prokuroria Speciale jep detaje për aksionin me policinë gjermane, cak ishin qendrat “Call Center”

KALLXO.com më parë raportoi se një aksion është zhvilluar gjatë ditës së sotme për pastrim parash.

Aksioni u zhvillua në bashkëpunim të Policisë së Kosovës asaj të Gjermanisë dhe Prokurorisë Speciale.

Sipas Zëdhënësit të Prokurorisë Speciale për KALLXO.com Ekrem Lutfiu, cak i këtij aksioni ishin qendrat “Call Center” në qytetet Prishtinë dhe Ferizaj.

“Në bazë të kërkesës për Ndihmë Juridike Ndërkombëtare, Prokuroria gjermane e Landit Saarland, bashkërisht me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, janë duke kryer bastisje në disa qendra të quajtura “Call center” në qytetin e Prishtinës dhe të  Ferizajt, me qëllim të zbulimit të fakteve dhe provave për vepra të mundshme penale”, tha Zëdhënësi i Prokurorisë Speciale për KALLXO.com Ekrem Lutfiu.

Sipas Lutfiut, Prokuroria e Landit Saarland të Gjermanisë, ka filluar hetimet në drejtim të veprës penale “Mashtrim” të Kodit Penal gjerman, dhe aksioni është duke u zhvilluar në disa shtete të Evropës, pjesë e së cilës është edhe Kosova.

“Po ashtu, Prokuroria Speciale e Kosovës, njofton se nëse zbulohen faktet konkrete do të fillojë hetimet ndaj pronarëve të këtyre qendrave në territorin e Republikës së Kosovës, në drejtim të veprës penale “Shpëlarje parash””, tha Lutfiu.