Kamberi: Prokuroria Speciale në Nish ka propozuar ngritje të aktakuzës për mua

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka njoftuar se Prokuroria Speciale në Nish ka propozuar që të ngritet akuzë ndaj tij për “tejkalim të apropriacioneve të buxhetit”

Sipas Kamberit, fjala është për realizimin e projekteve infrastrukturore në territorin e Komunës së Bujanocit, të përcaktuara me vendimin për buxhetin e kësaj komune më 2018 dhe 2019.

“Me rëndësi është të dihet se këto projekte realizohen në faza, për shkak se se Komunat e pazhvilluara në Serbi nuk kanë buxhet të mjaftueshëm që t’i realizojnë projektet me vlerë më të madhe brenda një viti. Prandaj edhe realizimin e tyre e bëjnë me faza, për dy apo më shumë vite”, ka shkruar ai në facebook.

Tutje Kamberi, ka sqaruar se Prokuroria ka propozuar ngritjen e akuzës duke u bazuar në faktin se në momentin e nënshkrimit të kontratës për realizimin e këtyre projekteve, në buxhetin e Komunës, nuk ka pasur mjaftueshëm mjete sa ka qenë vlera kontraktuese e këtyre projekteve.

“Në fakt, edhe më 2018 edhe më 2019, për projektet në fjalë, është bërë pagesa për punët e kryera vetëm në lartësinë e mjeteve të cilat kanë qenë të planifikuara me buxhet. As edhe një cent i vetëm më tepër. Por, Prokuroria paska zbuluar se me marrjen e obligimeve në vlerë më të madhe se mjetet e planifikuara “paskam rënduar buxhetin e Komunës”, ka shkruar ai në facebook.

Sipas tij, po qe se do të nënshkruanin kontrata e planifikonin punë vetëm me mjetet vjetore që i kanë në dispozicion, asnjë prej Komunave të Luginës së Preshevës (Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë), ashtu edhe asnjë prej Komunave me të ardhura të përafërta nuk do të mund të realizonin kurrë asnjë projekt madhor në të mirë të qytetarëve.