Naser Oriq - Foto: BIRN

Prokuroria boshnjake apelon lirimin nga akuzat të Naser Oriqit

Prokuroria shtetërore boshnjake nisi një apel kundër lirimit nga akuzat për krime lufte të ish-komandantit të Ushtrisë Boshnjake në Srebrenicë, Naser Oriq, i cili u shfajësua për vrasjen e robërve serbë.

Prokurori Miroslav Janjiq kërkoi që të urdhërohej një rigjykim i çështjes, duke pretenduar se gjatë gjykimit në shkallën e parë ishin bërë gabime ligjore dhe faktike.

Janjiq e quajti lirimin nga akuzat në shkallën e parë një “vendim të veçantë” në historinë e gjykatës boshnjake, duke pretenduar se ai ishte bazuar në një “provë imagjinare”.

Por ekipet e mbrojtjes të Oriqit dhe Muhiqit argumentuan se apeli i prokurorisë ishte “konfuz, i paqartë dhe i pakuptueshëm”.

Oriq, i cili ishte komandant i njësive të mbrojtjes territoriale të Ushtrisë Boshnjake dhe Muhiq, vartësi i tij, u akuzuan për vrasjen e tre robërve serbë në fshatrat Zalazje, Lolici dhe Kunjerac në 1992.

Por gjykata vendosi në tetor të vitit të kaluar se prokuroria nuk arriti të vërtetonte përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se Oriq dhe  Muhiq kryen vrasjet.

Oriq ishte liruar më parë nga akuzat për krime lufte në Srebrenicë në vitin 1992 nga gjykata e OKB-së në Hagë.

Rasti i Sarajevës ishte shumë i diskutueshëm sepse Oriq shihet si hero nga shumë boshnjakë për rolin e tij në mbrojtjen e Srebrenicës në vitet para masakrave të vitit 1995, ndërsa disa serbë kanë pohuar se akuzat kundër tij duhet të ishin më të ashpra.

Lirimi nga akuzat i Oriqit tërhoqi kritika të forta nga serbët e Bosnjës dhe zyrtarët serbë.