Pamje nga arrestimi i Albin Kurtit | Foto: KALLXO.com

Policia Tregon Si Arrestoi Deputetët

Policia me anë të një komunikate tregoi se si shkoi aksioni i sotëm i saj për arrestimin e tre deputetëve të Vetëvendosjes të kërkuar nga gjykata.

“Personat e lartcekur janë takuar dhe ndaluar në Rrugën e ‘UÇK’-së Prishtinë. Policia me këtë rast është prezantuar dhe i ka njoftuar ata se janë në zbatim të një urdhër-arresti dhe se do të shoqërohen për në organet e drejtësisë”, bëri të ditur policia.

Më tutje në komunikatë thuhet se deputetët Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi e Albulena Haxhiu dhe deputetë e aktivistë të tjerë e kundërshtuan arrestimin.

“Tre deputetët që kishin urdhër-arrest, por edhe deputetët tjerë, përfshirë edhe disa aktivistë, kanë kundërshtuar realizimin e urdhëresë së gjykatës, duke bërë rezistencë për të mos lejuar arrestimin e të njëjtëve”, vijon komunikata e policisë.

Policia më tutje njofton se gjatë ballafaqimit me turmën që kundërshtonte arrestimin e deputetëve janë lënduar pesë policë.

“Gjatë ballafaqimit me turmën, prej disa dhjetëra personave, pesë zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime”, thuhet në komunikatë.

Policia tregon se ka hapur një rast për sulm ndaj personit zyrtar, pasi një polic është qëlluar me grusht.

“Njëri nga zyrtaret policor është sulmuar me grusht nga i dyshuari D. Ç. Për këtë është iniciuar rasti “Sulm ndaj personit zyrtar dhe pengim në kryerje të detyrës zyrtare”, ku për rastin është njoftuar prokurori kujdestar”, sqarohet në komunikatë.

Policia përmend edhe përdorimin e forcës ndaj atyre që kundërshtonin arrestimin e tre deputetëve, duke konstatuar se ka përdorur forcë “proporcionale, të përshtatshme dhe të arsyeshme për realizimin e veprimeve të saja ligjore”.

KALLXO.com shkroi sot për arrestimin e tre deputetëve të Vetëvendosjes.