Policia: Gjetëm Lotsjellës e Molotov në Tenda

“Në cilësi të provave materiale Policia e Kosovës në tri lokacione të ndryshme duke përshirë lokacionin te tendat në shesh gjatë ekzaminimit nga njësitet relevante policore janë gjetur dhe konfiskuar (6) çanta me (39) shishe koktej molotovi si dhe (38) copë shishe me ngjyrë,” thuhet në komunikatën e policisë.

Policia përveç në tenda, tha se koktej molotovi ka konfiskuar edhe në Sheshin “Adem Jashari” dhe te shtëpia e Kryeministrit Isa Mustafa në Rrugën “Ilir Konushevci”. Sipas policisë kokteje të tillë u hodhën te dera e shtëpisë së Mustafës.

 

Policia në komunikatë tregoi edhe numrin e të lënduarve gjatë zhvillimeve të sotme në Kuvend e jashtë tij.

“Si pasojë e dhunës dhe sulmeve të protestuesve drejt policisë deri me tani kanë pësuar lëndime (21) zyrtarë policorë,” sqaron komunikata, e cila saktëson se edhe një kameraman është vetëlënduar.

molotov1

Policia në komunikatë njofton edhe për shoqërimin në polici në dy raste gjatë ditës të katër deputetëve nën dyshimin për hedhjen e gazit lotsjellës.

Ajo thotë se në protestën opozitare morën pjesë 2 mijë deri në 2 mijë e 500 persona.

Policia njoftoi se iu ekspozua sulmeve edhe nga individë të maskuar.

“Rreth orës 16:55 në Sheshin ‘Adem Jashari’ e pastaj në Rrugën ‘Agim Ramadani’ disa protestues të dhunshëm me maska kanë filluar të hedhin mjete të ndryshme duke përfshirë këtu edhe gurë, fishekzjarrë dhe koktej molotovi në drejtim të policisë dhe objektit të Kuvendit,” thuhet në komunikatë.