Polici Paditet për Tokën e Blerë nga AKP-ja

Lulzim Gashin nga Llapushniku i Drenasit për tokën e blerë nga Agjencia Kosovare e Privatizimit në Grejkoc të Suharekës, e kanë paditur 15 banorë të këtij fshati.

Gashi parcelën prej 3 hektarësh e 70 arësh e bleu në kuadër të privatizimit të ish-tokave shoqërore, ndërsa paditësit pretendojnë se kjo tokë është e tyre, por në mënyrë të dhunshme u është marrë nga pushteti serb në kohën e okupimit.

Seanca e padisë për vërtetim pronësie ndaj Gashit ishte paraparë të zhvillohej sot në Gjykatën Themelore në Prizren-Dega në Suharekë, por ajo nuk u zhvillua, pasi mungoi avokati i paditësve.

Avokati Naim Qelaj kishte njoftuar gjykatën se sot nuk mund të jetë i pranishëm në seancë, ngase ndodhej në një rast në Prizren që lidhej me një kërkesë për ekstradim.

Gashi, pasi seanca nuk u zhvillua, tha për KALLXO.com se pronën e ka blerë sipas rregullave të përcaktuara nga AKP-ja.

“Unë kam ble një pronë prej AKP-së, mirëpo tash e tre vjet nuk po mundem me shfrytëzuar pronën time, të cilën e kam ble në mënyrë legjitime,” tha Gashi.

Ai tregoi se është ankuar në AKP dhe po pret veprimin e Agjencisë së Privatizimit.

“Km bë një kërkesë edhe në AKP për lirim prone, që sa kohë e kam ble  edhe ata kanë treguar gatishmëri që mund tash me më mbështet, se është miratuar një ligj  i posaçëm, se uzurpatoret munden mu largu edhe tash jam duke pritur,” tha Gashi.

KALLXO.com ka shkruar për lirime të disa pronave në maj e qershor.

http://kallxo.com/policia-ne-aksion-per-largimin-e-uzurpatoreve-nga-pronat-e-akp-se/

http://kallxo.com/aksion-kunder-uzurpimit-ne-hotel-victory/