Tre të Plagosur në Veri-Policia Bastis Shtëpitë e të Dyshimtëve

Në natën mes të dielës dhe të hënës në veri të Mitrovicës ka ndodhur një përleshje masive mes dy grupeve, ku janë përdorur edhe armët.

Zëvendësdrejtori i Policisë Rajonale për veriun Besim Hoti konfirmoi për KALLXO.com se përleshja që u shoqërua me të shtëna ndodhi në orën një pas mesnatës.

“Gjatë natës së mbrëmshme rreth orës 1 pas mesnate dy grupe të ndryshme janë përfshirë në një rrahje, në të cilën rrahje janë shkëmbyer edhe armë zjarri, ku tre persona kanë mbetur të lënduar dhe kryesisht plagët janë në pjesët e këmbëve,” sqaroi Hoti.

Personat e lënduar sipas Hotit janë jashtë rrezikut për jetë.

Në mesnatë serbët po festonin pashkët ortodokse, ndërsa Hoti thotë se përleshjet mes këtyre dy grupeve zakonisht ndodhin pikërisht gjatë festave.

“Zakonisht në ditë kur ka festa janë dy grupe që përfshihen në incidente. Grupi i Zveçanit dhe i Mitrovicës,” tha Hoti.

Ai bëri të ditur se pas incidentit është sulmuar edhe një makinë e policisë.

“Policia derisa po intervistonte në spital personat e plagosur, vetura e ndaluar e policisë e cila ka qenë e vendosur në oborrin e spitalit është gjuajtur me armë zjarri,” tha Hoti.

Ai tregoi policia është duke i bastisur shtëpitë e dy të dyshimtëve për përfshirje në këtë incident.

Edhe të enjten dhe të premten ndodhën incidente në këtë pjesë për të cilat shkroi KALLXO.com-i, teksa vazhdon të kërkohet ende i riu që dyshohet të ketë rënë në ujërat e Ibrit.