Në Lisicë të Mitrovicës Konferencë për Zhdukjen e të Riut

Në fshatin Lisicë të Mitrovicës me fillim në orën 14:00 është mbajtur një konferencë për gazetarë rreth kërkimit të të zhdukurit Sead Alushi në lumin Ibër.

Aty ishin të pranishëm pjesëtarë të policisë nga stacioni jug dhe veri, ushtarë të KFOR-it e FSK-së, kryetari i Mitrovicës së Jugut Agim Bahtiri dhe Adriana Hoxhiq, shefja e Administratës në Komunën e Mitrovicës Veriore.

Teksa foli për kërkimin e të riut Sead Alushi në ujërat e lumit Ibër, kryetari Bahtiri lavdëroi  koordinimin jashtëzakonisht të mirë të dy komunave të Mitrovicës dhe komunave veriore, KFOR-it, FSK-së e policisë.

“Ne sot e patëm ni takim të përbashkët me KFOR-in, FSK-në, por edhe politikën për të dhënë ni sqarim rreth ngjarjes e cila është krijuar këto tri ditë. Na ka humbë një i ri dhe jemi tu ba përpjekje maksimale [për ta gjetur],” tha Bahtiri.

Ai tregoi se është kërkuar edhe vëzhgimi i terrenit me helikopter.

“Kemi kërkuar që të jetë edhe ni helikopter ndihmës për të shikuar gjendjen edhe më mirë, për të zbuluar edhe më shumë. Edhe ni barkë tjetër që do të vijë në ndihmë,” sqaroi Bahtiri.

Adriana Hoxhiq, shefe e Administratës në Mitrovicën Veriore apeloi që zhdukjes së këtij të riu të mos i jepet karakter ndëretnik.

“Kjo është një tragjedi, një fatkeqësi, nuk është në pyetje një sulm ndëretnik. Shpresoj që të gjithë jemi në dijeni që policisë duhet t’i japim përkrahje dhe të gjitha strukturave që veprojnë në drejtimin që të sqarojnë se çka ka ndodhur,” tha Hoxhiq.

Besim Hoti, zëvendësdrejtor i Policisë Rajonale të veriut njoftoi për veprimet policore të kryera që nga raportimi për zhdukjen e të riut.

“Nga perspektiva policore i kemi dy qasje të veprimeve-atë që na e quajmë veprim i drejtpërdrejtë hetimor për të zbuluar shkaqet dhe rrethanat e personit të humbur, si dhe veprimin tjetër operativ në terren në operacionin e kërkim-shpëtimit,” tha Hoti..

I riu Sead Alushi nga Suhadolli u raportua i zhdukur nga familjarë të tij të premten, ndërsa policia i tha KALLXO.com-it një ditë më vonë se dyshohet që ai mund të ketë rënë në lumin Ibër.

Në rrjedhën e këtij lumi nga Mitrovica në Zveçan ai edhe është duke u kërkuar.