Mosvotimi i FAK-ut, Konjufca i VV-së Lëshon Mbledhjen e Kuvendit

Glauk Konjufca, shef i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, ka lëshuar mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës duke thënë se nuk është pajtuar që të hiqet nga rendi i ditës pika për ndryshimet kushtetuese që i hapin rrugën krijimit të Forcave të Armatosura të Kosovës.

“Kjo pikë do të duhej të shqyrtohej në rendin e ditës së seancës të ditës së enjtes”, tha Konjufca.

Adem Grabovci, shef i grupit parlamentar të PDK-së tha se kanë kërkuar që ligji që parasheh amendamentet kushtetuese të Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) të hiqet nga rendi i ditës.

Ai theksoi se për votimin e ligjit për FSK-në nevojitet votim edhe nga minoritetet.

Ismet Beqiri shef i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) u shpreh se LDK-ja e përkrah ligjin për themelimin e FSK-së.

Ai shtoi se do të vazhdojnë përpjekjet që të arrihet marrëveshja për votimin e dyfishtë pasi sipas tij duhen edhe votat e pakicës për themelimin e Forcave të Armatosura.

Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se të mërkurën do të ketë vazhdim të seancës. Ndërsa të enjten do te ketë seancë të rregullt.