Kroacia Legalizon Marihuanën për Përdorim Mjekësor

Blerja dhe përdorimi i marihuanës për qëllime mjekësore është bërë legale në Kroaci të enjten, dhe Kroacia u bë shteti i parë ballkanik që iu bashkua trendit global drejt zbutjes të legjislacionit për këtë drogë.

Një komision mjekësor i formuar nga Ministria e Shëndetësisë vendosi në janar të këtij viti që shteti duhet të vazhdojë me këtë legjislacion sepse mund të jetë e dobishme drejt shërimit të disa sëmundjeve, sepse siç u tha nga ata kjo është “njohuria më e fundit shkencore dhe mjekësore”.

Doktorët do të jenë në gjendje të përshkruajnë barëra, çaj dhe kremra që përmbajnë THC, elementi aktiv i kanabisit, për pacientët e tyre. Rregullorja lejon çdo pacient të marrë deri në 0.75 gram THC çdo muaj.

Momentalisht nuk ka prodhues të marihuanës mjekësore ose produkteve të tilla në Kroaci, ndërkohë që kompani të huaja që shesin produkte të tilla nuk kanë shfaqur ndonjë interes për të depërtuar në tregun kroat.

Ministria e Shëndetësisë ka këmbëngulur që do të sigurojë që të gjitha barërat e bazuara në THC të përshkruara nga mjekët kroatë do të jenë në dispozicion për pacientët duke lejuar kompani farmaceutike të importojnë produkte të tilla.

Por Vjekoslava Amerl Sakic, një doktor që specializon në mjekësi familjare, i tha gazetës kroate 24 Sata që “mund të kalojnë deri në katër muaj para se produktet me bazë marihuane të jenë të gatshme për pacientët”.

Ajo shpjegoi që ministria do të vendosë se cilat barëra specifike lejohen “vetëm kur substanca e parë [me bazë THC] të importohet dhe kur laboratorët [e shërbimeve shëndetësore kroate] ta përpunojnë”.

Ajo tha që doktorët duhet të vlerësojnë të gjitha efektet anësore të mundshme, dozat dhe kushtet e përdorimit të produkteve të THC, që mund të zbulohen vetëm pas kërkimeve laboratorike.

Sipas rekomandimeve nga komisioni mjekësor, produktet bimore të bëra nga kanabisi mund të përdoren si ilaç shtesë për shërimin e tumoreve, sidës, sklerozës multiple dhe epilepsisë fëmijërore.

Edhe pse nuk është vërtetuar shkencërisht që këto produkte shërojnë ose kufizojnë efektet e këtyre sëmundjeve, besohet që ato lehtësojnë simptomat kur përdoret bashkërisht me ilaçe konvencionale, thotë komisioni.

Por produkte kanabisi nuk duhet të përdoren nga njerëzit që vuajnë nga Sëmundja e Parkinsonit, epilepsia normale, depresioni dhe të tjera çrregullime psikiatrike, paralajmërojnë ata.