Dëshmitarët në Kosovë nuk i Besojnë Sistemit të Drejtësisë

Programi për Mbrojtjen e Dëshmitarëve në Kosovë ka një konglomerat problemesh, u tha sot në një konferencë për media në Prishtinë të organizuar nga OJQ-ja “Qendra për Hulumtim, Dokumentim dhe Publikim”.

Kjo qendër prezantoi të martën analizën politike të bërë për mbrojtjen e dëshmitarëve në Kosovë nga e cila doli se njëri ndër problemet më të mëdha që është hasur gjatë intervistave me të anketuar ishte mosbesimi i madh në sistemin e drejtësisë në vend.

Besa Kabashi- Ramaj, përpiluesja e raportit, listoi një numër të problemeve si në vetë Ligjin për Dëshmitarët, buxhetin e vogël, mungesën e bashkëpunimit të institucioneve të Kosovës dhe mosbesimin në sistemin e drejtësisë, respektivisht gjyqësorin dhe prokurorinë.

Ajo po ashtu tha se fillimi i punës së EULEX-it në Kosovë kishte krijuar besim të madh, por sipas saj ky mision me kalimin e kohës humbi kredibilitetin, sidomos në trajtimin e rasteve gjyqësore.

“Tani, ajo trashëgimi negative iu ka kaluar institucioneve të Kosovës. Edhe pse institucionet e Kosovës ende nuk kanë dëshmitarë nën mbrojtje, sepse drejtoria tek para një viti e gjysmë është krijuar,” tha ajo.

Njëra ndër vërejtjet për Ligjin për Mbrojtjen e Dëshmitarëve u cek se ky ligj e obligon dëshmitarin të bashkëpunojë me drejtësinë.

“Duhet të ketë përjashtime nëse nuk duan dëshmitarët të bashkëpunojnë,” tha Kabashi-Ramaj.

Ajo tha se sot dëshmitarët në Kosovë janë të dekurajuar të dëshmojnë në proceset gjyqësore, sepse nuk i besojnë drejtësisë në vend.

Ajo tha se Programi për Mbrojtjen e Dëshmitarëve ka nevojë për mbështetje politike dhe buxhet më të madh, ndërsa kërkoi që ky bashkëpunim duhet të vijë së pari nga Zyra e Kryeministrit. Ajo tha se Zyra e Kryeministrit nuk e ka prioritet çështjen e mbrojtjes së dëshmitarëve.

Kabashi-Ramaj theksoi se në programin kosovar për mbrojtjen e dëshmitarëve nuk ekziston asnjë dëshmitar, sipas intervistuesve.

Ndërsa, ajo tha se Policia e Kosovës është ranguar më së larti sa I takon besueshmërisë nga intervistuesit.

Skënder Rrahmani, drejtori i Drejtorisë për Mbrojtjen e Dëshmitarëve, theksoi se Policia e Kosovës së fundmi ka arritur marrëveshje policore për mbrojtjen e dëshmitarëve me Mbretërinë e Bashkuar.

“Problem i madh vazhdon të jetë obligimi që duhet të aplikojmë për viza,” tha Rrahmani duke iu referuar rasteve të zhvendosjes së dëshmitarëve.

Rrahmani po ashtu theksoi se mosanëtarësimi i Policisë së Kosovës në organizatat ndërkombëtare policore si, INTERPOL dhe EUROPOL shkakton telashe shtesë kur vjen në pyetje bashkëpunimi ndërkombëtar.