Bosnja e Ndarë nga Dënimi për Gjenocid i Oficerit Serb

Viktimat boshnjake të luftës përshëndetën dënimin me burgim të përjetshëm për gjenocid në Srebrenicë të dhënë për ish-gjeneralin Zdravko Tolimir, por avokatët serbë thanë se ky ishte një vendim i padrejtë dhe i politizuar.

Refuzimi i Gjykatës së Hagës ndaj apelit të Tolimirit kundër dënimit të tij për gjenocid kundër mijëra burrave dhe djemve boshnjakë nga Srebrenica në korrik të vitit 1995 shkaktoi reagime të ndryshme në Bosnje dhe Hercegovinë, duke reflektuar ndarjet e vazhdueshme etnike në vend.

Tomiliri u dënua me burgim të përjetshëm ditën e mërkurë për gjenocid të boshnjakëve në Srebrenicë, por u lirua nga akuza për kryerje gjenocidi në Zepa. Megjithatë, gjykata ndërkombëtare e krimeve të luftës vendosi se në Zepa ishte kryer gjenocid, e cila njësoj si Srebrenica ishte një ‘zon e sigurt’ e mbrojtur nga OKB-ja para se të binte në duar të forcave serbe të Bosnjës në korrik të vitit 1995.

Murat Tahirovic, presidenti i shoqatës “Viktimat dhe Dëshmitarët e Gjenocidit”, i cili ishte në Hagë për vendimin, tha për BIRN se Tolimiri buzëqeshi i vetëkënaqur dhe bëri kryqin ndërsa kryetari i trupit gjykues Theodor Meron dha vendimin për burgosjen e tij.

“Ai reagoi duke buzëqeshur i vetëkënaqur. Por asgjë nga këto s’ka rëndësi. Rëndësi ka se ne, viktimat, jemi të kënaqur që Gjykata e Hagës tha se në Zepa ka ndodhur gjenocid njësoj si në Srebrenicë, në fakt, në të gjithë Bosnjën lindore,” tha Tahirovic.

Tahirovic tha se ai beson se vendimi për Tolimirin do të ketë një impakt në gjyqet që vazhdojnë ende të ish-liderëve ushtarakë të Ushtrisë Serbe të Bosnjes Ratko Mlladiq dhe Radovan Karaxhiq, të cilët akuzohen gjithashtu për gjenocid dhe krime të tjera lufte në Bosnje dhe Hercegovinë.

“Shpresoj gjithashtu që kjo të mund të ndryshojë gjërat në shtëpi në Bosnje dhe Hercegovinë, që ne të shohim më shumë të vërtetë,” shtoi ai.

Hajra Catic, një e mbijetuar gjenocidi dhe përfaqësuese e shoqatës “Gratë e Srebrenicës”, e cila humbi gjithashtu të shoqin dhe të birin në masakrat e korrikut 1995, tha për BIRN se ajo ndihej e trazuar për vendimin.

“Jam e kënaqur që ai u dënua me burgim të përjetshëm. Kjo është një lloj drejtësie dhe jam e kënaqur që ai u shpall fajtor për gjenocid dhe se u vendos se në Zepa është kryer gjenocid, e cila ndau të njëjtin fat të përgjakshëm me Srebrenicën, por asgjë s’mund të na i kthejë më mbrapsht fëmijët tanë, kështu që jam e trishtuar,” tha Catic.

Megjithatë, avokati serb Goran Petronijevic, një këshilltar i ekipit mbrojtës të Karaxhiqit më Hagë, tha për median vendase se ai besonte se vendimi ishte “i padrejtë” dhe anti-serb.

“Kjo vërteton se Gjykata e Hagës është në gjykatë e krijuar për të prodhuar vendime dhe thjesht të verifikojë gënjeshtra të mëparshme se ana serbe është fajtore për të gjitha krimet. Ky është një vendim politik,” tha Petronijevic.

Krstan Simic, një avokat i entitetit të Republikës Srpska, tha se vendimi mund të ndihmojë të pandehurit e tjerë në Hagë.

“Vendimi fokusohet te aktet e vrasjes dhe vrasjet e meshkujve të Srebrenicës, ndërsa shprehet se dëbimi i femrave dhe fëmijëve nga Srebrenica s’është në vetvete një krim gjenocidi, gjë e cila duhet të jetë shumë e dobishme për ekipet mbrojtëse të Karaxhiqit dhe Mlladiqit,” tha Simic.