Analistët në Tiranë e Shkup Komentojnë Arrestimin e Albin Kurtit

Analistë nga Tirana e Shkupi konsiderojnë se 28 Nëntori i këtij viti në Kosovë ishte për të ardhur keq.

Skender Minxhozi, kryeredaktor i “Java News”, një media online në Tiranë, tha për KALLXO.com se politika në Kosovë por edhe në Shqipëri herë pas here prishin edhe momentet solemne e festive.

“Ajo që ka ndodhur sot në Kosovë nuk ka lidhje me diferenca sa i përket protokollit të festave, por është diçka shumë më e thellë. Duket se klasa politike është thellësisht e ndarë në çështjen e pushtetit, por edhe në qëndrimet që duhen mbajtur ndaj principeve të shtetit demokratik dhe shoqërisë multietnike”, tha Minxhozi.

Sipas tij, situata pas gazit lotsjellës dhe tensionet në Kuvendin e Kosovës, e bënë të situatën e sotme të duket si një “përfundim logjik i përplasjeve të përsëritura në sallën e Kuvendit”.

“Ne që jetojmë në këtë anë të botës shqiptare, në Tiranë, këto lloj situatash i kemi njohur edhe në të shkuarën, natyrisht në rrethana dhe për motive krejt të ndryshme, por dimë se antagonizmi i skajshëm politik nuk është i mirë për asnjë nga palët”, tha ai.

Sipas tij, ajo që e bashkon Kosovën dhe Shqipërinë në këto momente, është paaftësia e klasave politike për të negociuar dhe gjetur zgjidhje te kënaqshme për të gjithë,

Ndërsa Xhelal Neziri, analist nga Shkupi, e konsideron të papranueshme që një vend demokratik ta shtypë me dhunë opozitën.

“Me këtë aksion të sotëm Kosova rrezikon të futet në një periudhë të rrezikshme, të konflikteve dhe destabilizimit që mund të bllokojnë edhe më shumë shtetin në drejtim të integrimit në strukturat euroatlantike”, tha Neziri.

Por ai thotë se nuk pajtohet as me metodat që opozita ka zgjedhur për t’i penguar punët në Kuvend.

“Mendoj se dalja nga ky ngërç politik në Kosovë gjithsesi se janë zgjedhjet e parakohshme”, tha ai.