Aktakuzë ndaj Shtatë Personave për Terrorizëm

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë, pranë Departamentit për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Ferizaj kundër të pandehurve Zeqirja Qazimi, Ilir Berisha, Sadat Topojani, Burim Ballazhi, Jetmir Kyqyku, Liridon Kabashi dhe Ilir Krraba, për kryerjen e disa veprave penale që ndërlidhen me terrorizmin.

“Të pandehurit: Zeqirja Qazimi, Ilir Berisha, Sadat Topojani, Burim Ballazhi dhe Jetmir Kyqyku, u kanë bërë thirrje personave të tjerë për të kryer ose për të marrë pjesë në kryerjen e veprave terroriste, të marrin pjesë në aktivitetet e grupit terrorist dhe të sigurojnë fonde dhe burime materiale, kështu që me këtë kanë kryer veprën penale: “Rekrutimi për terrorizëm”, nga neni 139 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Prokuroria Speciale në komunikatë më tej thotë se të pandehurit Ilir Berisha, Sadat Topojani, Burim Balazhi, Liridon Kabashi dhe Ilir Krraba kanë marrë pjesë në veprimtarinë e grupit terrorist në atë mënyrë që paraprakisht janë pajtuar që të shkojnë në luftë në Siri dhe t’i bashkohen grupit të shqiptarëve që kanë luftuar në anën e organizatës terroriste “ISIS”. Me këtë veprim, sipas Prokurorisë Speciale, kanë kryer veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grupin terrorist”.

Sipas Prokurorisë i pandehuri Zeqirja Qazimi, duke e keqpërdorur pozitën e tij si imam në Xhamin “El-Kuddus” në Gjilan, publikisht ka nxitur dhe përhapur urrejtje, përçarje dhe mosdurim midis grupeve kombëtare, racore, fetare, etnike dhe grupeve tjera që jetojnë në Republikën e Kosovës. Me këtë vepër Prokuroria thotë se ai ka kryer veprën penale “Nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”.

Më tej komunikata thotë se i pandehuri Ilir Berisha, që nga muaji janar i vitit 2014 ka mbajtur në pronësi pa leje valide një pistoletë Ekol Special-99, e kall.9 mm Gas, më ç’ rast thotë se ai ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Për më tepër, aktakuza është ngritur nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, i cili i ka propozuar Gjykatës që pas administrimit të provave dhe përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të pandehurit, për veprat penale që akuzohen, t’i shpallë fajtor dhe t’i gjykojë sipas ligjit.