Pamje nga takimi i Komisionit për Zhvillim Ekonomik - Foto: KALLXO.com

Nga 1 Janari Ndalohet Importi i Automjeteve më të Vjetra se 10 Vjet

Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri gjatë debatit të sotëm vendosi që Ligji i cili ndalon importin e veturave më të vjetra se dhjetë vite të hyjë në fuqi më 1 janar 2018.

Kryetari i Komisionit, Muhamet Mustafa, tha se vendimi me të cilin kemi ndaluar importin e veturave më të vjetra se dhjetë vjet do të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit të ardhshëm. Sipas tij, ky vendim do të ketë ndikim pozitiv në mjedis.

“Ai vendim me të cilin ne e kemi kufizuar, përkatësisht kemi ndaluar importin e veturave më të vjetra se dhjetë vjet, propozimi i Komisionit është ky: Ky Ligj hyn në fuqi prej 1 janarit 2018 për arsye se këto mjete janë duke e rritur numrin e aksidenteve. Dogana, akciza dhe TVSh-ja nga automjetet e përdorura është shumë e rëndësishme për buxhetin e Kosovës. Vendimi që ndalon importin e veturave më të vjetra se dhjetë vjet do të ketë efekte pozitive në mjedis sepse ky ka qenë motivi ynë, mirëpo edhe do të reduktojë të hyrat buxhetore”, tha Mustafa.

Ndërsa, anëtari i Komisionit, Fatmir Rexhepi, kërkoi që të ndahet në dy pjesë neni i cili ndalon importin e veturave më të vjetra se 10 vjet për shkak se sipas tij, pjesa e dytë e paragrafit flet për kriteret dhe kushtet e importimit të veturave Euro 4, që nënkuptojnë dy çështje të ndryshme.

“Ne duhet të ndajmë tek neni 44 paragrafi 2 në dy pjesë, për shkak të vendimit sepse këtu i kemi bashkë. ‘Në Kosovë nuk mund të importohen vetura më të vjetra se 10 vjet’. Këtu të vendoset pikë pastaj kjo hyn në fuqi. Sepse duhet ta ndajmë pjesën tjetër që flet se ‘Në Kosovë nuk mund të importohen vetura të cilat nuk e përfaqësojnë standardin Euro 4’, sepse janë dy qasje të ndryshme”, tha Rexhepi.

Pas votimit të Komisionit për Zhvillim Ekonomik u aprovua me rekomandime propozimi i Komisionit për Buxhet si dhe propozimi i Komisionit për Legjislacion në të cilin u bënë përmirësime teknike në formulimin e fjalive.

Projektligji me rekomandime për automjete kaloi në lexim të dytë në Komisionin për Zhvillim Ekonomik dhe i njëjti i propozohet dhe i dërgohet Kuvendit të Kosovës që të debatojë dhe ta amendamentojë, në mënyrë që veturat  e importuara të mos jenë më të vjetra se dhjetë vite.